Dënohet me 2 vite burg dhe 3 mijë euro gjobë i akuzuari për bashkryerje të veprave terroriste

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka dënuar me dy vite burg dhe 3 mijë euro gjobë të akuzuarin L.B për veprën penale në bashkëkryerje “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I akuzuari L.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy ( 2 ) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 15 maj 2023 deri me 07.03.2024 dhe dënim me gjobë në shumë prej tre mijë euro (3.000 €), të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatën e Gjykatës për media.

Tutje, bëhet e ditur se nga i akuzuari gjykata ka konfiskuar përgjithmonë sendet e luajtshme, si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit, të cilat janë sekuestruar përkohësisht me vendimin e Gjykatës, si sende të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale.

“Obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore, në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej njëqind €uro ( 100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu obligohet i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej njëqind euro (100 €), në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në bazë të nenit 367 paragrafi 1 të Kodit të Procedures Penale të Republikës së Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit, gjykata i udhëzon palët për të drejtën në ankesë”, thuhet në komunikatë.

Gjykata shton se “Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”./21Media

Back to top button