Deputetët dhe ekipet e mediave evakuohen nga Kuvendi për shkaqe sigurie

Policia e Kosovës i ka urdhëruar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit në ndërtesën e Kuvendit të largohen, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive, për shkaqe sigurie.
Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ku po planifikohej të mbahej seanca e radhës konstituive është evakuuar për shkaqe sigurie, ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Sipas disa deputetëve, bëhet fjalë për çështje sigurie dhe ndonjë kërcënimi të mundshëm.
“Policia për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkun është me liru ndërtesën”, ka thënë Tahiri.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin”, ka thënë ajo para mediave.
Portali rtv21.tv ka dërgua pyetje në polici por ende nuk ka marrë një përgjigje.