Deputetët e VV-së tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit

Deputetët e Vetëvendosjes janë tërhequr nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit. Kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, teksa u ka bërë thirrje edhe deputetëve të tjerë që të aplikojnë të njëjtin standard.
Po ashtu Kusari-Lila thotë se do të kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit rishikimin e vendimit për kompensim të deputetëve. Gjithë kjo erdhi pas publikimit të shpenzimeve të deputetëve të Kosovës për derivate.
“Me anë të këtij njoftimi duam të informojmë opinion publik, se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si shumicë parlamentare, vullnetarisht do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe njëkohësisht thërrasin edhe deputetët tjerë të aplikojnë të njëjtin standard. Gjithashtu, do të kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit, rishikimin e vendimit për kompensimin e deputetëve. Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e performances së punës së deputetëve, llogaridhënies dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Republikës”, ka shkruar Kusari-Lila.

Të enjten është publikuar lista e dhjetra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante./21Media
 

Back to top button