Deputetët kosovarë takohen me delegacionin e Gjermanisë, diskutojnë për sigurinë në Ballkan

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takimin delegacionin e Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë. Kryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale, siguria në Ballkanin Perëndimor dhe dezinformimi nga mediat në Serbi.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur në takimin delegacionin e Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë. Kryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni tha se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale, siguria në Ballkanin Perëndimor dhe dezinformimi nga mediat në Serbi.

Ajo tha se delegacioni nga Gjermania ka nisur një vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku marrin pjesë deputetë të partive të ndryshme politike.

“Ideja është që të takohen me parlamentarët, me deputetët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar për zhvillimet aktuale që sigurisht përfshijnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ideja është që të synohet drejt krijimit të një stabiliteti dhe një paqeje të vendeve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ne sot me këta përfaqësues të Bundestagut kemi diskutuar për situatën aktuale në të cilën është Republika e Kosovës. Dhe më vjen mirë që edhe një herë tjetër prej përfaqësuesve të Gjermanisë dëgjojmë për mbështetjen dhe përkrahjen që ata e kanë për Republikën e Kosovës, në veçanti për proceset në të cilat Kosova po kalon, e sidomos për situatën që është krijuar pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se edhe në takimin e sotëm kanë marrë mbështetje për procesin e Berlinit, i cili është dizajnuar siç tha ajo, për trasimin e rrugës drejt integrimit evropian shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kemi diskutuar edhe për situatën e krijuar së fundmi, sigurisht që besojmë që dialogu është e vetmja mënyrë që çon drejt normalizimit të raporteve të të dyja vendeve. Këtu kërkohet përpjekje e Serbisë që ta marrin seriozisht këtë proces të dialogut dhe të qasen seriozisht këtij procesi, në mënyrë që të arrihet ajo çfarë po synojmë ne bashkërisht. Po ashtu kemi ndarë çështje të ndryshme, të cilët këta deputetë mund t’i diskutojnë me deputetët e opozitës me të cilët do të takohen në Beograd, pas takimit në Kosovë dhe kemi marrë përkrahjen e mbështetjen”, shtoi ajo.

Me deputetët nga Gjermania, deputetja e VV-së shtoi se kanë diskutuar edhe për dezinformimin e mediave nga Serbia.

“Një çështje tjetër që u përmend në këtë takim ishte dezinfomimi sidomos prej mediave në Serbi, i cili gjithmonë krijon propagandë dhe nxjerr situatën të atillë siç në realitet nuk është. Këto takimet sy më sy mes deputetëve të këtyre parlamenteve ndihmojnë shumë që të merret vesh e vërteta dhe të mos lihet hapësirë që këto lloj propagandash dhe këto dezinformatash të zënë vend në këto procese që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, përfundoi deputetja e VV-së.

Back to top button