Dështoi tentimi i 28-të për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Basha: Partitë le të maten me Kurtin për Qeverinë, jo për Kuvendin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka deklaruar se i kupton partitë tjera që dëshirojnë të krijojnë kauza por jo t’i ndërtojnë ato duke mos zgjedhur Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
Basha pas dështimit të seancës konstituive, ka fajësuar partitë tjera që nuk po votojnë komisionin për votim të fshehtë, duke thënë se deputetët edhe në atë mënyrë do të kenë mundësi të votojnë pro, kundër apo abstenim, raporton kp.
“Mua më jep me kuptuar që këta nuk e kanë me Albulenën por e kanë me Albin Kurtin. Për bes për neve, nëse ata duan të maten me Albin Kurtin, ata duhet të shkojnë të matën në numrin e votimit të qeverisë sepse ne e kemi kandiduar Kurtin për kryeministër, jo për kryeparlamentar“, tha ai, duke shtuar se nuk i kupton deputetët që nuk votojnë Albulena Haxhiun derisa kanë votuar certifikimin e Listës Serbe, Zajednicën dhe Gjykatën Speciale.
Konstituimi i Kuvendit, Gashi sheh tri opsione për daljen nga kriza
Deputeti i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Arben Gashi tha se ndër zgjidhjet për daljen nga bllokada e konstituimit të kuvendit është krijimi i një qeverie të pakicës. Përveç kësaj, sipas Gashit Kosova mund ta zhbllokojë situatën në kuvend përmes një koalicioni qeverisës apo duke shkuar në zgjedhje të reja.
Para nisjes së seancës konstituve për herë të njëzet e tetë, Gashi para gazetarëve tha se mund të pajtohen që Lëvizjes Vetëvendosje t’i thonë “eja bëhu kryeministër, ta jap votën”, raporton KosovaPress.
I pyetur nëse do ta jepte votën pro këtij procesi, Gashi tha se varet si do të vendos partia.
“Ndoshta Dita e Bajramit ua ka zbutur zemrat dhe sheqeri i ka ëmbëlsuar dhe munden me qenë më pozitiv sepse si po duken i ka mbytur negativiteti. Jam optimist se duhet ta gjejnë një zgjidhje. Ulen kryetarët e partive dhe merren vesh për një zgjidhje qoftë ajo ta formojnë një koalicion, një qeveri të pakicës apo të shkohet në zgjedhje”, tha Gashi.
Ndërkaq, një takim tjetër me presidenten të partive politike sipas Gashit nuk mund të jetë produktiuv. Por, krahkash kësaj ai tha se çdo lëvizje apo diksutim është pozitiv.
“Nuk mendoj se është produktivë. Gjithsesi çdo lëvizje është pozitive, qoftë takim apo diskutim formal. Më dëmshmja për shtetin e Kosovës është status kuoja. Status kuoja e ka mbërritur pikën ku është e padurueshme dhe pa e tolerueshme dhe duhet të ndryshojë. Nënkupton gjetjen e një zgjidhje. Sipas meje tri opsione janë, një koalicion qeverisës, një qeveri e pakicës ku ne mund të pajtohemi t’i themi në rregull ti po dëshiron që me çdo kusht me qenë, eja bëhu kryeministër po ta jap votën, ose shkuarja në zgjedhje. Unë po e shoh si zgjidhje si dalje nga kjo situatë…Nëse vendos partia po”, potencoi Gashi.
Haxhiu: Jemi të hapur për takime të tjera me presidenten, Kushtetuesja të thotë fjalën e vet sa më parë
Deputetja e LVV-së, Albulen Haxhiu është deklaruar pas dështimit të 28-të për konstituimit të kuvendit, duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të jap vendimin e saj për lëndën e dorëzuar nga AAK-ja, si dhe për lëndën dorëzuar nga VV-ja ‘‘sa i përket manipulimit me vota të mërgatës’’.
Ajo ka thënë edhe se ky vendim duhet të jepet sa më shpjet duke pasur parasysh urgjencën.
‘‘Ne kemi disa çështje përpara, kemi një lëndë në Gjykatën Kushtetuese që e ka dorëzuar AAK-ja, kemi edhe lëndën tjetër që e ka dorëzuar VV-ja sa i përket manipulimit me vota të mërgatës në të dyja këto që lidhen edhe me zgjedhjet, nuk kemi ende asnjë nga gjykata kushtetuese. Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese duke e pasur parasysh ndjeshmërinë, urgjencën, të veprojë sa më parë, ta thotë fjalën e vet si për lëndën e parë si për lëndën e dytë’’, ka thënë ajo.
Tutje, e njëjta është deklaruar se VV-ja është e hapur edhe për takime të tjera me presidenten Vjosa Osmani, edhe nëse ato bëhen veç e veç.
‘‘Sa i përket ftesës së presidentes, tashmë ka ndodhur një takim me kryetarët e partive politike, aty është diskutuar edhe për takime të ndara me liderë veç e veç, ne jemi shumë të hapur të marrim pjesë edhe në këtë takim. Jemi shumë të hapur të kontribuojmë me gjithçka çka varet nga ne me qëllim të konstituimit të Kuvendit, por është përgjegjësi edhe e deputetëve të opozitës që të kontribuojnë në këtë drejtim’’, ka thënë ajo.
Basha pas dështimit të 28-të të Kuvendit: Ne e kemi kandidu Kurtin për kryeministër të shtetit jo për kryeparlamentar
Deputeti i LVV-së, Dimal Basha pas dështimit të 28-të të kuvendit, ka thënë se votimi nuk është duke u bërë për Albulena Haxhiun.
Sipas tij refuzimi i deputetëve të opozitës për LVV është apsurde.
“Na vjen shumë keq që kjo po vazhdon, është e 20-ta herë që opozita refuzon me marrë pjesë në votimin e themelimit të komisionit që pastaj e mundëson votimin e fshehtë, ku deputetët prapë munden me vazhdu me votim për kundër apo apstenim. Së paku këtu nuk jemi duke votu për Albulenen por jemi duke votu për një komision zgjedhor. Deputetë e opozitës po refuzojnë, për neve është apsurde”, tha Basha.
Deputeti i LVV-së vlerëson se opozita dëshiron të matet me Albin Kurti, sipas tij ata duhet të maten me numra të votimit të qeverisë dhe në kuvend.
“Për më tepër refuzimi ndaj Haxhiut është gjithashtu apsurd, është një grua e cila i ka shërbyer Republikës së Kosovës për 14 vite edhe nuk e kanë asnjë vërejtje të vetme ndaj personit në fjalë e që për mua më lë të me kuptu që këta nuk e kanë as me Albulenen por e kanë me Albin Kurtin. E për besë për neve, nëse ata dojnë me u matë me Albin Kurtin ata duhet me shkojnë të matën në numra të votimit të qeverisë dhe në kuvend, sepse ne e kemi kandidu kryeministrin Kurti për kryeministër të shtetit jo për kryeparlamentar”, theksoi Basha. /21Media
Çitaku: Kosova po vazhdon pa institucione për shkak të kryeneçësisë politike të LVV-së
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se për fat të keq bllokada politike po vazhdon në Kuvend, dhe sipas saj kjo po ndodh për shkak të kokëfortësisë së LVV-së së Albin Kurtit.
Ajo ka thënë se nuk është në rregull që të vazhdohet me këtë situatë dhe se Kosova është më e madhe se të gjitha partitë dhe se gjithë individët.
“Fatkeqësisht situata absurde në Kuvend po vazhdon. Kosova po vazhdon pa institucione për shkak të kryeneçësisë politike të LVV-së. S’është në rregull të normalizohet kjo situatë. Bëj thirrje për reflektim. Ne si PDK kemi ofruar zgjidhje. S’është koha të barrikadohemi. Kosova është shumë më e madhe se secila parti, e secili prej nesh vec e vec.”, ka thënë ajo pas dështimit të seancës.
Edhe një dështim! Kuvendi nuk konstituohet as për 28–tën herë
Kuvendi i Kosovës as për të 28 herë nuk ka arritur të konstituohet.
Seanca e radhës do të mbahet më 9 qershor në ora 11:00.
Sërish nuk ka pasur kuorum për formim të komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të zgjidhet 6 herë radhazi, ndërkaq të enjten dështoi për të 19-n herë formimi i Komisionit për votimin e fshehtë.
Filloi seanca e 28-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 28-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media
Zogaj: Nuk presim diqka ndryshe, e vetmja zgjidhje nga ky ngërç politik është idea e LDK-së
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj për RTV21 para fillimit të seancës së 28-të të kuvendit ka thënë se nuk pritet ndonjë ndryshim për daljen nga ngërçi politik.
Sipas tij e vetmja zgjidhje nga ky ngërç politik është idea e LDK-së për qeveri kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Nuk presim diqka ndryshe për arsyje që nuk ka pasur asnjë lëvizje serioze për të ndaluar nga ky ngërç politik, andaj kjo do të jetë një përsëritje e radhës e turpshme siç po e shohim çdo 48 orë. Pa marrëveshje politike nuk mund të ketë lëvizje nga këto qëndrime, andaj edhe sot edhe pas 48-orëve ne do të vazhdojmë kësi soji. E vetmja zgjidhje nga ky ngërç politik është idea jonë apo alternativa që ne e kemi propozuar si LDK, e që është qeveria gjithëpërfshirëse, kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Zemaj. /21Media
Zemaj: VV-ja të hapë rrugë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nuk ka indikacione se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve.
Zemaj ka thënë se VV-ja duhet të hapë rrugë.
“Nuk kemi indickacion që LVV ka bërë ndonjë marrëveshje për konstituim dhe krijimin e qeverisë së re. Kjo është e tepërt çka po ndodhë. Ata ose duhet të hapin rrugë, ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçet”, ka theksuar deputeti i LDK-së.
Lushtaku: Nuk e di se cili kurban duhet të prehet për t’u mbajtur një seancë konstituive
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po tregohet kokëfortë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai para fillimit të seancës konstituive ka fajësuar LVV-në për mosreflektim.
“Nuk e di cili kurban duhet të prehet për t’u mbajtur një seancë konstituive që të tregojmë unitet, po tregohet që ka kokëfortësi ende nga mazhoranca dhe nuk ka reflektim për ndryshim të veprimeve antikushtetuese dhe antiligjore”, ka thënë Lushtaku.
Koci edhe sot në aksion te Kuvendi: Kërkesa ime është e thjeshtë, deputetët duhet të heqin dorë nga pagat
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se edhe sot do të vazhdojë protestën e sotme para Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se sot do të kërkojë nga deputetët që të heqin dorë nga paga e tyre derisa të konstituohet Kuvendit.
“Paraprakisht e dijmë: As sot – nuk do të ketë marrëveshje ndërmjet deputetëve! Hera e 28-të! Kjo situatë nuk është më krizë politike – është kthyer në një plan të qëllimshëm për ta zvarritur zgjidhjen, derisa të detyrohet vendi të shkojë në dy palë zgjedhje: lokale dhe të përgjithshme. Potencialisht, ky është një plan kriminal, me elemente të krimit të organizuar. Protesta ime vazhdon. Sot, kërkesa ime është e thjeshtë: Deputetët duhet të heqin dorë nga pagat – derisa ta kryejnë detyrën për të cilën paguhen. Sepse kush merr rrogë pa punuar – mund të quhet edhe hajn. E me e vjedh popullin – nuk ka krim më të madh!”, ka shkruar Koci.
Deputetët mblidhen për të 28-n herë sot
Deputetët do të mblidhen të shtunën edhe një herë në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo do të jetë seanca e 28 e tentimit për konstituim.
Seanca ka ngecur te formimi i komisionit për zhvillim të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që po kundërshtohet nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Që nga hapja e seancës konstituive më 15 prill, kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të marrë votat e nevojshme për gjashtë herë radhazi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?