Deputeti gjerman: Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq po bëjnë një lojë të rrezikshme në rajon

Deputeti i Bundestagut, Josip Juratoviq, ka thënë se Kurti dhe Vuçiq po luajnë një poker të rrezikshëm që kërcënon të gjithë rajonin
“Në situatën aktuale globale, veçanërisht në kontekstin e konfliktit të Ukrainës, ne kemi nevojë për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi nevojë për partnerë që japin një kontribut konstruktiv për stabilitetin. Aksionizma, si ajo e Kurtit në veri me dërgimin e kryetarëve të komunave, janë të panevojshme nga ana strategjike. Kurti dhe Vuçiç po luajnë një poker të rrezikshëm që kërcënon të gjithë rajonin”, ka deklaruar ai.
Kurse sa i përket masave ndëshkuese ka thënë se janë kushtëzime fondesh.
“Para së gjithash, duhet thënë se këto nuk janë masa ndëshkuese, por thjesht kushtëzim fondesh. Qëllimi është dërgimi i një sinjali në Kosovë. Sinjale të ngjashme po dërgohen edhe në Serbi”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se ushtarët e KFOR-it përjetuan dhunë për shkak të lojërave të çmendura të politikanëve.
“Para së gjithash, më vjen keq që ushtarët tanë, pavarësisht se nga vijnë, edhe dekada pas luftës, duhet të përjetojnë dhunë, për shkak të lojërave që bëjnë disa politikanë të çmendur. Kjo është e trishtueshme dhe e turpshme për të dy popujt. Për ne ka qenë gjithmonë e qartë se jo gjithmonë mund të llogarisje me Vuçiçin. Por u indinjuam kur pamë që Kurti i dërgoi kryetarët e bashkive në zyra pikërisht ditën kur në Serbi zhvilloheshin protestat (29.05.) dhe kur kundërdemonstrata e madhe e Vuçiçit dështoi. Sipas meje, kjo ishte një manovër për të hequr vëmendjen nga Serbia. Ajo i edhi në ndihmë vetëm Vuçiçit. Po krijohet përshtypja se as Vuçiçi dhe as Kurti nuk janë të gatshëm ose nuk janë të aftë të kontribuojnë për vendosjen e paqes. Unë mendoj se arsyeja është se ata janë nën presionin e madh të forcave radikale. Në Serbi forcat radikale janë të lidhura me Kishën Ortodokse, ndërsa radikalët e Kurtit janë në diasporë dhe ëndërrojnë për një Shqipëri të Madhe. Kjo më zemëron më së shumti. Ata janë kosovarë që janë rritur në Gjermani, vetë janë në siguri dhe kultivojnë një nacionalizëm që dëmton vetëm njerëzit që jetojnë në rajon”, ka shtuar ai.
Juratoviq është shprehur se e beson Kurtin kur flet për ndërtimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit por ka një hendek mes dëshirës e realitetit.
“Unë e besoj Albin Kurtin kur thotë se dëshiron të ndërtojë demokracinë dhe sundimin e së drejtës në Kosovë. Por ekziston një hendek midis dëshirës dhe realitetit. Sepse demokracia përfshin edhe të drejtat e njeriut, jo vetëm të serbëve, por edhe të ashkalinjve, romëve dhe pakicave të tjera që jetojnë në Kosovë. Shenja më e rëndësishme e një demokracie funksionuese është dialogu dhe kompromisi. Nëse arrihet një kompromis, ai duhet gjithashtu të mbrohet. Dhe Kosova është shumë larg prej kësaj gjendjeje”, ka deklaruar ai.
I pyetur për Asociacionin se a është modeli kroat është i përshtatshëm për Kosovën, Juratoviq, ka thënë se s’ka asnjë model, por duhet palët të ulen në tryezën e bisedimeve.
“Nuk ka as model kroat, as model boshnjak e as model tjetër për Kosovën. Ajo që kemi është një marrëveshje që u arrit në Bruksel. Serbia dhe Kosova tani duhet të ulen në tryezë e të bisedojnë me njëra-tjetrën për këtë me qëllim që të gjejnë një zgjidhje që mund të implementohet nga të dyja palët”, ka pohuar ai.
Deputeti gjerman është pyetur nëse është penduar se ka mbështetur Kurtin në të kaluarën, për çka ka thënë jo.
“Jo, nuk jam penduar. E mbështeta sepse kandidoi kundër koalicionit të korruptuar të luftës. Por unë nuk i mbështes tendencat nacionaliste, pavarësisht nga cili grupim etnike që vijnë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ai. /DW/