Deputeti i VV-së: Po ecim në hapat e duhur për themelimin e Asociacionit

Me kushte e parakushte u karakterizuan takimet e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq me zyrtarët e lartë të vendeve të BE-së. Asociacioni ishte pika që përplasi palët që çoi drejtë dështimit të një marrëveshjeje eventuale tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Është një pengesë e madhe, e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”. Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër”, tha Borrell.

Por, çka pranoi Kurti e çka refuzoi Vuçiq? Propozimi i planit të ri euro-amerikan për zbatimin e marrëveshjes dhe themelimin Asociacionit ishte i pranishëm për kryeministrin Kurti i cili në margjinat e samitit të BE-së ishte i gatshëm ta nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu gatishmëri për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me Kosovën, por ka një problem sipas tij, nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Serbia dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar nga marrëveshja themelore e vitit 2013 e deri te marrëveshjet e arritura më vonë në Bruksel dhe Ohër. Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, as pavarësinë e Kosovës. Jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit”, tha Vuçiq.

Përmbajtja e draftit të asociacionit vlerësohet të jetë pika kyçe që palët nuk po arrijnë pajtueshmëri. Serbia edhe dje ka këmbëngulur se Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive gjë e cila është refuzuar nga pala kosovare.

Pesëshja diplomatike ditë më parë kishte propozuar një koncept evropian për themelimin e kësaj trupe gjë e cila u pranua nga Kurti si bazë e mirë për vazhdimin e bisedimeve. Por, për kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, koncepti i ri për asociacionin i ka vështirësitë e veta që të zbatohet.

“Është shumë proces i ndërlikuar të krijosh një institucion që ti e quan publik në Kosovë e do të merret me çështje që në kuptimin etnik mund të interpretohen si serbe, është problem kjo nuk e lejon Kushtetuta e jonë. Mendoj se do të ketë diskutime me bashkësinë ndërkombëtare, me Serbinë nuk kemi çfarë e bisedojmë një çështje të brendshme”, tha Konjufca.

Ndërkohë, njëri nga deputetët e VV-së, Agon Batusha, e pranon se Kosova e ka obligim ndërkombëtar krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Qeveria po mundohet ta nxjerrë më të mirën nga marrëveshja për asociacionin.

“Ne jemi për një marrëveshje për zgjidhjen e problemeve me Serbinë e cila përfshinë njohjen de-facto. Nuk pranohet asociacion me kompetenca ekzekutive. Nuk e kam parë draftin e modelit evropian, por pasi kryeministri u pajtua në parim atëherë po ecet në hapat e duhur në përputhje me Kushtetutën”, tha Batusha.

Opozita nuk çuditet që kryeministri Kurti pranoi marrëveshjen e Asociacionit. Por, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi për mashtrim.

“Kurti ka thënë se nuk do të shkojë në dialog pa sanksionimin e Serbisë dhe zbardhjes së sulmit në Banjskë. Ndërsa ju kthy dialogut. Kurti e ka mashtruar opinionin se nuk do ta pranojë Asociacionin, por në fakt e ka pranuar”, tha ajo për RTV21.

BE-ja ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit brenda kornizës së dialogut si e vetmja rrugë për avancim në rrugën evropiane./21Media

Back to top button