Deputeti shqiptar në kantonin e Bernit: Në Kosovë familjet shpenzojnë 14.9% të pagës për energji elektrike, kurse në Zvicër 2.95%

Deputeti i Kantonit të Bernit në Zvicër, Korab Rashiti, ka reaguar ndaj raportimeve për mundësinë e shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ai ka thënë se një familje mesatare në Kosovë shpenzon 14% të pagës për 1000 kWh të energjisë elektrike.

Derisa sipas tij në Zvicër një familje mesatare shpenzon vetëm 2.94% të pagës së saj për të njëjtën energji elektrike.

“Menaxhimi dhe strategjia energjetike në Kosovë është një tmerr i pafund dhe ata duan përsëri ta rrisin çmimin e kWh në Kosovë. Mos harro atë që thashë disa javë më parë: tatimi fiskal në të ardhmen në Kosovë do të kalojë përmes çmimit të kWh!Nje info:Këtu është një krahasim duke marrë parasysh fuqinë blerëse midis Kosovës dhe Zvicrës, duke pasur parasysh që të ardhurat mediane në Kosovë janë 540 euro, ndërsa në Zvicër 6800 euro.”, ka shkruar Rashiti në Facebook.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se disa kompani të rëndësishme të sektorit energjetik, si KOSTT, KEDS dhe KESCO, kanë dorëzuar kërkesat për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.

ZRRE ka bërë të ditur se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar dokumentet e dorëzuara dhe, pas përfundimit të vlerësimit, do të hartojë një raport për konsultim publik.

Ky raport do të përmbajë analiza dhe rekomandime dhe do të jetë i hapur për komente nga qytetarët dhe palët e interesuara për një periudhë dyjavore.
Pas shqyrtimit të sugjerimeve të marra gjatë konsultimit publik, ZRRE do të përgatisë vlerësimin përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Bordit të ZRRE-së për miratim./21Media

Back to top button