Deputetja e PDK-së: Më ka kërcënuar bashkëshorti i presidentes Osmani

Floretë Zejnullahu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur se është kërcënuar nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
“Të nderuar para jush dua të paraqes kërcënimin që kam marr nga bashkëshorti i zonjës Osmani, Prindon Sadriu. I rrethuar me pushtetin e bashkëshortes dhe partnerit të saj qeverisës, Albin Kurti ai ka marrë guximin të kërcënoj deputetët e Kuvendit, pas publikimit të fakteve ndaj tij dhe jetës luksoze që ai dhe bashkëshortja e tij bëjnë”, ka thënë Zjenullahu në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka shtuar se këto fakte duket se i kanë prishur rehatin familjes presidenciale.
“Ai ndoshta ka menduar se përmes kësaj letre kërcënuese unë mund të frikësohem dhe të heshti, por nga këtu i bëjë me dije se ka gabuar adresën e personit dhe adresën politike që kemi menduar se mund ta frikësoni e shantazhoni”, ka thënë Zejnullahu.
Ajo ka paralajmëruar se do ta padisë për kërcënim Prindon Sadriun./21Media
 

Back to top button