Deputetja e VV-së – Prattipatit: S’është mirë nëse e vizituat Kushtetuesen një ditë para njoftimit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni në vazhdën e kritikave ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive, ka përmendur edhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.
“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nëse Prattipati ka vizituar Kushtetuesen këto ditë.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.
Ky vendim është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se po mban anë dhe po sfidon vullnetin popullor.