Dëshmitari i nëntë fillon dëshminë në Hagë në çështjen Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur dhënien e dëshmisë së tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmitari i nëntë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W01602.
Karshi këtij dëshmitari ZPS ka paraparë dy orë kohë për parashtrimin e pyetjeve të saj, ndërsa mbrojtësi i viktimave ka kërkuar 15 minuta e ekipet e mbrojtjes të të akuzuarve kanë paraparë 6 orë pyetje.
Për shkak të masave mbrojtëse u kërkua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që marrja në pyetje e këtij dëshmitari fillimisht të bëhet në seancë të mbyllur për publikun, prandaj edhe seanca po zhvillohet e mbyllur.
E para se të fillojë dëshminë e tij dëshmitari i nëntë i ZPS-së, trupi gjykues në seancën e sotme gjyqësore në seancë publike trupi gjykues parashtroi disa pyetje për dëshmitarin e tetë në gjykimin kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Gjykatësi, Fergal Gejnor kërkoi të di se në qendrën e ndalimit në Bajgorë kush i shikonte personat e ndaluar. Më pas, dëshmitari tha se kjo ishte përgjegjësi e policisë ushtarake.
Po ky gjyqtar parashtroi disa pyetje për mënyrën e komunikimit si dhe për marrëdhëniet që kishte brigada ku dëshmitari tetë ishte anëtarë me policinë ushtarake.
Lidhur me këtë dëshmitari u shpreh se përmes personit katër zhvillohet komunikimi.
Sa i takon mënyrës se si informoheshin për zhvillimet gjatë ditës, dëshmitari tetë deklaroi se informacionet i merrnin përmes mediave të shkruara.
Ndërsa, gjykatësi tjetër, Genwl Metro krahas disa pyetjeve specifike për disa të ndaluar kërkoi të di se kush bënte roje për personat e ndaluar, dëshmitari i tetë i ZPS-së u shpreh se këtë e bënte policia ushtarake.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020. /kp