Dështoi edhe e 34-ta

(Lajm i përditësuar)
Çitaku: Kosova është marrë peng nga kokëfortësia e Kurtit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha ajo, bllokimin e institucioneve dhe mungesë totale të përgjegjësisë politike në raport me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Çitaku tha se PDK-ja ka ofruar zgjidhje dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por se Kurti dhe partia e tij nuk po kërkojnë konsensus, por nënshtrim, raporton KosovaPress.
“Kosova është marrë peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe VV-së. Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa secili prej nesh. Ne kërkojmë zgjidhje, kemi ofruar zgjidhje, mirëpo LVV nuk dëshiron bashkëpunim, por dëshiron diktakt dhe nënshtrim, dhe PDK nuk i nënshtrohet diktatit,” ka deklaruar Çitaku.
Deputetja Çitaku komentoi edhe mungesën e emërimit të një ambasadori të SHBA-së në Kosovë, duke e lidhur këtë me qasjen e Qeverisë Kurti në raport me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne jemi në pritje, sigurisht se ShBA-të të emërojnë ambasadorin në Kosovë, nuk mund të flas në emër të ShBA-së, pse një emërim i tillë nuk ka ndodhur ende. Por, Kurti me kokëfortësinë e tij ka paralizuar Kosovën edhe nga brenda, por edhe në raport me aleatët tanë”, u shpreh ajo.
LVV: Opozita po mban peng Kuvendin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar partitë opozitare për një bllokadë të qëllimshme dhe siç tha ai, kundërkushtetuese.
Sipas Abrashit, inatet destruktive politike pa ndonjë qëllim të qartë po e mbajnë peng tash e sa kohë Kuvendin.
“Shprehim zhgënjimin tonë në këtë bllokadë të qëllimshme dhe në plotni në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës që bëhet nga partitë opozitare. Zgjedhjet janë një proces demokratik dhe në rast kur nuk i fiton ato, minimalja është të pranojë dhe reflektojë karshi rezultatit dhe të vazhdojmë tutje. Por, kjo nuk po ndodh. Sot inatet destruktive politike pa ndonjë qëllim të qartë po e mbajnë peng tash e sa kohë kuvendin. Krejt kjo situatë në pikëvështrimin opozitar po synohet që të ndërtohet si rast i pashembullt në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës, ku dëshmohet një forcë destruktive në pengim të konstituimit të Kuvendit…partitë e tjera po marrin pjesë në Kuvend në stilin ‘nomadik’, nuk janë të interesuar për të bërë shtëpi, po hyn e po dalin pa i kryer obligimet e tyre ”, ka thënë Abrashi.
Abrashi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili sipas tij, do të sqarojë procedurën e votimit.
“Ne jemi në proces të pritjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili do të sqarojë procedurën e votimit në Kuvend, dhe meqenëse është iniciuar ky rast në këtë institucion na mbetet të presim atë vendim në mungesë të reflektimit të deputetëve të opozitës…Këtë qëndrueshmëri për t’i bllokuar proceset më të dëmshme të cilën ka kaluar Republika e Kosovës në të kaluarën, sikur është Asociacioni, sikur që ishte çështja e Demarkacionit, e shumë vendime të dëmshme, besoj se Kosova do të ishte në BE”, ka thënë ai.
I pyetur për një takim të përfolur mes një deputeti të LDK-së dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, Abrashi tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë, megjithatë, tha se e mirëpret çdo përpjekje për dialog.
“Unë nuk jam në dijeni lidhur me takimin në fjalë. Dhe uroj të këtë sa më shumë takime të tilla nëse është e vërtetë. Uroj që deputetet të cilët ende nuk u ka humbur arsyeja të reflektojnë, sepse vendi ka nevojë për zërat që reflektojnë tani dhe me guxim për t’i kundërshtuar bllokadat e paarsyeshme. Sa i përket çështjes së kandidaturave, besoj se LVV shumë shpejtë do të përmbyllë këtë proces me nominimin e të gjithë kandidatëve në gjithë komunat, brenda këtij muaji. Nuk mund të pohoj as mohoj ndonjë vendim të tillë”, ka nënvizuar Abrashi.
Haziri: Ditëve të fundit kabineti qeveritar më shumë kalon kohë në zyrat e prokurorisë se në të qeverisë
Deputeti i LDK-së Lufti Haziri ka kërkuar nga partia e parë Lëvizja Vetëvendosje që të ofrojë zgjedhje. Ai kërkoi marrëveshje politike.
“duhet ta kuptojmë që dy binaret sikur në rastin e parë edhe deputet edhe ministër nuk mund të funksionojë qeveria në detyrë, sepse po e shihni ditëve të fundit që ma shumë kalojnë kabineti qeveritar në zyrat e prokurorisë se sa në zyrat e qeverisë”, tha Haziri duke shtuar se pavarësisht kësaj ata po vazhdojnë të marrin vendime kundër kushtetutës./21Media
Dështoi edhe e 34-ta
Dështoi edhe seanca e 34-të e Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që partitë nuk propozuan deputetët për anëtarët e komisionit zgjedhor për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Nuk kaloi as formimi i këtij komisioni që rrjedhimisht dështoi seanca.
Kadriaj: Nëse bëhet qeveri e ish opozitës nuk e refuzojmë Nismën
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj i tha RTV21 se AAK do të bashkëpunonte me Nismën nëse do të bëhej një qeveri e ish opozitës.
“Mandatar do të jenë ose lideri i PDK-së, ose i LDK-së , të cilët do të diskutojnë edhe normal që kanë të drejt të diskutojnë edhe me Nismën ne nuk e refuzojmë”, tha ajo.
Më tej Kadriaj tha se janë për qeveri të ish opozitës.
Derisa për moskonstiumin e Kuvendit tha se si AAK ka ofruar zgjidhje derisa fajin ua hedhi LVV-së për bllokadë.
Mustafa i LDK-së: LVV s’po do zgjidhje , por ndoshta zgjedhje të reja
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa para seancës së Kuvendit, i tha RTV21 se se qëndrimet e LDK-së janë të qarta.Ai përmendi idenë e LDK-së për qeverinë e unitetit, duke thënë se LVV ka dalë kundër.
“Kjo nënkupton që LVV nuk dëshiron të ketë zgjidhje e ndoshta dëshiron që të zgjedhje të reja”, u shpreh ai
“Ideja që LVV do ta qoj vendin në dy palë zgjedhje njëkohësisht është propagandë politke, sepse nuk është LVV që vendos”, shtoi ai./21Media
Limaj: Të veprojmë shpejt, situata e sigurisë mund të komplikohet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar një takim të frytshëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku janë diskutuar të gjitha zhvillimet kyçe për vendin, përfshirë edhe idenë për një Qeveri të Unitetit. Ai ka theksuar se takimet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Limaj po ashtu ka folur edhe për situatën e sigurisë në vend, duke theksuar se duhet të veprohet shpejt, pasi siç tha ai, situata e sigurisë mund të komplikohet.
Sipas Limajt, zhvillimet rajonale dhe mesazhet shqetësuese nga disa fqinj tregojnë se Kosova nuk duhet të qëndrojë pasive.
“Përveç problemeve që folëm për ekonominë, shqetësimi im po rritet, çështja e sigurisë së Kosovës. Po i marrim gjerat lehtë rreth nesh, nëse Kosova vazhdon të mbetet kështu siç është do të rritet shkalla e pasigurisë në vend. Jam i shqetësuar edhe për situatën e sigurisë ne vend, dhe shpresoj që edhe koleget tjerë e kuptojnë, duhet të veprojmë shpejtë, sepse situata e sigurisë mund të komplikohet. Në kuptimin që po shihni, bota është trazuar, rajoni është trazuar. Nuk mund të sillemi në një vend rehat duke ditur që plot rreth nesh kemi që punojnë dhe e mohojnë shtetin, që ky shtet të zhbëjnë, haptas. Po shihni mesazhet që vinë nga fqinjët”, ka shtuar Limaj.
Ndërsa, ai ka konfirmuar edhe takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Po jemi takuar (me Abdixhikun), kemi pas një takim shumë të mirë, kemi biseduar të gjitha temat, kemi pas një bisedë shteruese dhe mund të them që ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë. Të gjitha temat që e preokupojnë Kosovën, zhvillimet në Kosovë, prej zhvillimet politike, ekonomike rajonale, angazhimet tona, obligimet që duhet kryhen. E rëndësishme është që në shumë drejtime kemi një këndvështrim dhe e rëndësishme është që po ndodhin gjithë takimet. E rëndësishme është që në do të vazhdojmë të takohemi, dhe ne nuk mund t’i zgjedhim vet problemet, ne e shprehim vullnetin tonë dhe gatishmërinë, duhet të jenë edhe të tjerët… Po ka qenë edhe kjo teme interesante, Kemi biseduar (për qeverin e unitetit) beosj që edhe në ditët me vijim do të takohemi…Poashtu, me gjithë jam i hapur të takohem”, ka theksuar Limaj.
Haradinaj për Kurtin: Mashtrues që po e mban peng Kosovën
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj e ka quajtur mashtrues kryetarin e LVV-së Albin Kurtin dhe e ka akuzuar atë se po e mban peng Ksovën.
“S’munden pa kufi me u tall me neve, mashtruesi ka marrë shumicën e votave po e mban peng Kosovën, gjithë ne të tjerët jemi peng i tij nuk bën me shku në pakufi këto takimet tjera përrallat piu kafe ky me atë janë hajgare, një njeri është duke e mbajtur peng Kosovën, duke i bë të këqija, unë s’jam i befasuar se unë e kam deklaruar kush është ky njeri por le të mbushen mend”, tha ai para seancës së Kuvendit./21Media
Për të 34-ën herë Kuvendi tenton të konstituohet
Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës do të mbahet sot nga ora dhjetë (10:00).
Tridhjetetre vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?