Dështon edhe përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)

Çitaku: I bëjmë thirrje deputetit Kurti që të reflektojë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas dështimit të seancës së 19 tha se Albin Kurti duhet të reflektojë dhe ta ndërroj emrin e kandidatit.

”I bëjmë thirrje deputetit Kurtit që të reflektojë ta ndërroj kandidaten. PDK për gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë e përgjegjshme”, tha Çitaku./21Media


Haradinaj: Kurti është mashtrues, nuk i ka numrat prandaj manovron

Para nisjes së seancës së sotme konstituive, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti është mashtrues pasi sipas tij po manovron në mënyra të ndryshme meqë nuk i ka numrat.

“Fakti që çon dorën në Kuvend dhe merr vendim si deputet, edhe shkon e çon dorën në qeveri, besoni është kriminale. Nuk mundet deputeti që voton në legjislaturë, të votojë edhe në qeveri. Këtij po i zbulohet mashtrimi. Është mashtrues. Po i del mashtrimi. Nuk i ka numrat, prandaj po manovron. Ne i kemi dhënë zgjidhje. I kemi premtuar votë për kandidat konsensualë”, ka thënë ai.


​Haxhiu kërkon “reflektimin e opozitës” për konstituimin e Kuvendit

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga PDK, LDK, AAK dhe partitë e tjera në Kuvend të reflektojnë për të konstituar Kuvendin e Kosovës.

Ajo tha se përgjegjësia i takon partive që deri tani ishin në opozitë, derisa tha se edhe në seancën e sotme, në tentimin e 19-të për zgjedhjen e trupave të legjislativit do të vazhdohet në formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen e kryeparlamentarit në mënyrë të fshehtë.

“Është kërkesa e kryesuesit të seancës që të votohet Komisioni për votim të fshehtë. Urojmë që opozita të marrë pjesë në votim dhe është e rëndësishme që të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese… Përgjegjësia mbetet te opozita dhe uroj të reflektojmë që të dalim nga kjo situatë dhe të konstituojmë Kuvendin”, tha ajo duke hyrë në objektin e Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë tjetër kandidat, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është emër i papranueshëm.


Deliu: LVV e barrikaduar me një emër

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka bërë të ditur se edhe në seancën e sotme konstituive nuk do të ketë ndryshim.

“Nuk shoh që do të ketë ndryshim. Nuk ka vullnet politik për të ndryshuar kandidaten e cila për të 19-ën herë do të ketë epilogun e njëjtë. Kosova po e kalon muajin e tretë të bllokimit dhe krizës institucionale dhe përgjegjësinë duhet ta marrin ata që nuk tregojnë asnjë hap të vetëm për tejkalim të kësaj situate”, tha Deliu.

Deputetja u shpreh se PDK ka qenë e hapur të ulet dhe të diskutojë dhe të shoh mundësinë sesi mund të tejkalohet situata e krijuar.


Zemaj: Kurti s’është i interesuar t’i formojë institucionet

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Albin Kurti nuk është i interesuar për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

“Kjo është logjika e Vetëvendosjes: imponimi, diktati ashtu siç funksionojnë brenda partisë së tyre. Mendojnë që duhet edhe subjektet politike t’i nënshtrohen. Kjo është e papranueshme. Nuk jemi për dëshira personale këtu. Jemi për t’u shërbyer qytetarëve dhe për formimin e institucioneve. Nuk ka pritshmëri. Kurti nuk është i interesuar për formimin e institucioneve të reja”, ka thënë Zemaj para hyrjes në seancë.


Guri: LDK-ja s’hyn në koalicion me ata që na quajnë ‘hajvana’”

Deputeti i LDK-së, Paris Guri para vazhdimit të seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, në një deklarim për RTV21 tha se LDK-ja nuk bashkëpunon me dikë që i quajnë ‘’hajvana’’.

Ai gjithashtu shtoi se LDK-ja nuk i ka ndërruar qëndrimet e saj.

‘’Ne e kemi përgjigjen e njëjtë, sa herë do të dërgojnë ftesë do kenë përgjgije.  E çuditshme dëshira për të hyrë në koalicion me LDK-në,  nuk bashkëqeverisimi me ata që mendojnë se LDK-ja janë hajvana’’, tha Guri./21Media


Peci: Opozita s’mund të na imponojë kandidatin

Deputeti i LVV-së, Faton Peci para vazhdimit të seancës konstituive për herë të nëntëmbëdhjetë, ka thënë se opozita nuk mund të imponojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, partisë fituese të zgjedhjeve.

“Ne kemi reflektuar në forma të ndryshme dhe kemi treguar se jemi të hapur për të diskutuar për opsione dhe partneritete e koalicione. Në anën tjetër, në rast që ju e quani reflektim idenë që opozita me zgjedh kandidatin e partisë fituese atëherë kjo nuk është reflektim por tentativë për me imponu kandidatin”, ka thënë ai.

Duke folur për partneritetin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe mundësinë që pozitën e kryetarit të Kuvendit t’i jep liderit të Nismas, Fatmir Limaj, ai tha se Albin Kurti dje e ka sqaruar se një pozitë e tillë nuk mund t’i takojë dikujt që i ka vetëm tre deputetë.


Rexhaj: Qytetarët preferojnë që ta kemi një koalicion me LDK-në

Deputeti i Vetëvendosjes Arbër Rexhaj për RTV21 para fillimit të seancës së 19-të konstituive tha se VV nuk e ndërron qëndrimin e saj rreth kandidates, Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ai tutje shtoi se votuesit e VV-së e shohin të duhur që ”të bëjmë koalicion me LDK-në”.

”Të dy grupet, elektorate qytetarët pra preferojnë që ta kemi një koalicion me LDK-në. Normalisht ne preferojmë të shkojmë me ata që qytetarët na rrugëtojnë të shkojmë me atë. Por LDK ka dhënë një qendrim që po e kërkon PDK-në”, tha Rexhaj.


Sot përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e mërkurë) në ora 11:00 në tentativën e 19-të për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht se seanca do të nisë në ora 11:00.

Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë.

Back to top button