Dështon edhe tentativa e 53-të, edhe një përpjekje në mbrëmje

(Lajm i përditësuar)



Limaj: Asnjë ditë nga afati i Gjykatës nuk është i shfrytëzuar

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas dështimit të seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese ta njohë realitetin që deputetët nuk kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë detyrën.

Limaj u shpreh se asnjë nga 30 ditët e dhëna në aktgjykimin kushtetues, nuk është shfrytëzuar.

“Gjendja ka mujt mos me ardh këtu, por ka ardhë. Unë e vlerësoj që asnjë ditë nga 30 ditëshi i Gjykatës nuk është i shfrytëzuar, deputetët nuk kanë pasur mundësi ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit, asnjë ditë nga 30 ditëshi nuk është i shfrytëzuar për faktin se deputetët në asnjë rast nuk iu ka dhënë mundësia të votojnë”, ka thënë Limaj para mediave.


Bajrami: Hipokrizi të mblidhemi në orën 22:00, kur dihet rezultati

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se është hipokrizi që të mblidhen sërish sot në ora 22:00, për të vazhduar me seancën e 54-të, pas dështimit të seancës së 53-të.

Sipas saj, edhe për seancën e 54-të, përfundimi dihet.

“Shpreh keqardhje, ka 102 ditë që takohemi, herë çdo 48 orë, herë çdo 24 orë, dhe pa as përpjekjet minimale të partisë së parë për të bërë zgjidhje dhe për të bërë konstituimin  institucioneve. Nga dje e kemi ditur që do të takohemi sot, dhe është raportuar se nuk ka asnjë lloj përpjekje, as sot nuk ka. Është hipokrizi të ftohemi prapë në ora 22:00 duke e ditur paraprakisht rezultatin”, tha Bajrami.

Krasniqi: Jam zgjedhur deputet 7 herë radhazi, situatë më absurde se tash s’ka pasur

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se do të mbajë një fjalim pas seancës së orës 22:00 të shtunën, pasi paraprakisht në hollin e Kuvendit u tha mediave se do të deklarohej pas seancës së orës 14:00.

Krasniqi ka deklaruar se prej sa vjetësh që është zgjedhur deputet, nuk ka parë situatë më absurde se tash, teksa shpreson që “”qytetarët po e kuptojnë që mentaliteti autoritar e i diktatit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti po tenton ta instalojë edhe në këtë Kuvend ka marrë fund”.

„Vazhdimi i abuzimit u shfaq edhe sot në qasjen autoritare, e inponuese e kemi ndjekur që nga seanca e parë nga ana e kryesuesit dhe ai na ftoi përsëri që të jemi këtu edhe një herë në ora 22:00, siç po shihet jo për të bërë zgjidhje apo për ta respektuar kushtetutën por për ta vazhdu talljen me shtetin dhe qytetarët. Unë nuk po e mbajë fjalën tash por me mirëkuptim po kërkoj që në vazhdimin e seancës që do të bëjmë në ora 22:00 ta them atë që e kam planifikuar por vetëm po e them që kam pas nderin jetësorë që të zgjidhem deputet i Kuvendit të Kosovës shtatë herë me radhë, çdo herë në gati këto 18 vitet e fundit dhe situatë më apsurde për kundër shumë situatave problematike të cilat i kemi pasur të kaluarën ska pasë asnjëherë”, tha Krasniqi në foltoren e Kuvendit.

Krasniqi shpreson se qytetarët po e kuptojnë që mentaliteti autoritar e i diktatit që sipas tij Albin Kurti po tenton ta instalojë edhe në Kuvend.

“Unë shpresoj shumë që qytetarët po e kuptojnë që mentaliteti autoritar e i diktatit që Albin Kurti po tenton ta instalojë edhe në këtë Kuvend të Kosovës ka marrë fund dhe nuk do ta lejojnë që të kalojë”, theksoi ai. /21Media


Deputetja më e re e Kuvendit i bën thirrje VV-së për zgjim të thellë demokratik

Deputetja më e re në Kuvendin e Kosovës, Sala Jashari, nga radhët e PDK-së, ka mbajtur fjalim nga salla plenare e parlamentit, pas dështimit të seancës së 53-të konstituive, derisa u kumtua se seanca e 54-të mbahet po sot, nga ora 22:00.

“Ne, partitë tjera vazhdojmë me këtë seancë protestuese. Më lejoni që sot se deputetja më e re në Kuvend, ta shfrytëzoj të drejtën për të folur, jo në një mbledhje të zakonshme parlamentar, por një thirrje publike për drejtësi për një zgjim të thellë demokratik”, u shpreh Jashari.


Edhe një dështim për konstituimin e Kuvendit

Ka dështuar edhe përpjekja e 53-të për konstiutimin e Kuvendit të Kosovës, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, si edhe në seancat e kaluara ua ndërpreu fjalën deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, deputetes të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu dhe deputetes të AAK-së, Time Kadrijaj.

Pas kësaj Dehari tha se në sallë kanë qenë 107 deputetë, ku 56 kanë votuar për, kundër jo, as abstenim.

Dehari tha ndërpritet seanca, në kuadër të përpjekjeve për themelimin e Kuvendit takohemi sonte në orën 22:00


Mbahet 1 minute heshtje për Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrë

Para fillimit të seancës së 53-të të Kuvendit është mbajtur 1 minutë heshtje për Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrë.


Fillon seanca e 53-të për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 53-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media


Temperaturat e larta, Kuvendi nuk i lë mediat te hyrja kryesore

Kuvendi i Kosovës ka marrë një vendim që të mos i lejojë mediat të qëndrojnë para hyrjes kryesore në objekt.

Mësohet se, ky vendim është marrë për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.

Ndërsa, prej orës 14:00 pritet të nis vazhdimi i 53-të i seancës konsituive të Kuvendit, ditën e fundit të skadimit të afatit kushtetuese, që përfundon sonte në orën 00:00.

Kuvendi sipas kësaj mase të përkohshme do t’i konsumojë ditët e mbetura të afatit 30 ditorë, por nuk do të mund të merr asnjë vendim tjetër deri më 8 gusht. Kjo masë ndërlidhet me kërkesat e parashtruara nga PDK dhe LDK.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa në seancat e deritanishme kanë dështuar të sigurojnë votat për kryetar të Kuvendit.


Kadrijaj: Nëse as sot s’ka reflektim, shihet se Kurti qëllimshëm po e mban peng konstituimin

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj është deklaruar para seancës së 53-të konstituive.

Kadrijaj thotë se nuk e di si do të rrjedhë kjo seancë konstituive, nëse do të vazhdohet me komision të fshehtë, apo nëse do të ndryshojë rrjedha.

“Nëse kërkojnë të votohet komisioni, kandidati për komision është Albin Kurti, por nëse ndodh kjo, nuk ndërrohet forma e votimit, dhe nuk kanë reflektuar, atëherë po shihet se qëllimshëm që gati gjashtë muaj, Albin Kurti po e mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Kadrijaj para gazetarëve.


​Bogujevci: Presim që deputetët do të votojnë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Saranda Bogujevci është deklaruar para fillimit të seancës konstituive të 53-të me radhë

Bogujveci tha se “presim që deputetët të votojnë”.

“Ta shohim si do të veprohet sot, ta shohim se si do të jetë rezultati sot, presim që deputetët do të votojnë edhe mandej flasim tutje”, deklaroi ajo para mediave.


Kurti i rrethuar me truproje hyn në Kuvend për seancën e fundit, flet pak për gazetarët

Kreu i VV-së, Albin Kurti, i rrethuar me truproje ka hyrë sot në Kuvendin e Kosovës.

I pyetur nga gazetarët nëse ka marrëveshje me Limajn, Kurti s’ka folur.

Kreu i Qeverisë në detyrë ka thënë se “do të deklarohen nga grupi parlamentar i VV’së”.


Limaj: Nuk pres ndonjë ndryshim sot

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj shkurtimisht para mediave ka thënë se nuk pret ndonjë ndryshim sot për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk pres ndonjë ndryshim sot, tani më besoj që duhet me lënë vendimin e Gjykatës”, tha Limaj. /21Media


Hazir Hoxha i drejtohet deputetes Pacolli: Për hajne e ki me dokument

Kryetari i këshillit të fshatit Bellanicë të Malishevës, Hazir Hoxha po proteston para objektit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, për hajni, për çka edhe u ballafaqua drejtpërdrejt me të.

Deklarimin e tij ai e bëri të ulur para hyrjes së objektit të kuvendit, teksa deputetët kanë filluar të vijnë për përpjekjen e 53-të për konstituim të kuvendit, raporton KosovaPress.

“Sot më ka sjellë arroganca e djeshme e Fitore Pacollit. Unë jam Hazir Hoxha nga fshati Bellanicë, komuna e Malishevës, përfaqësues i mbi 5 mijë banorëve. Fitore Pacolli, do ta them atë thënien e famshme të Napoleonit, por do ta modifikojë për momentin që e kemi ‘gjithë janë hajna, por Fitore Pacolli është me dokument’. Këtë e vendosa para dyerve këtu, kah të hyjnë deputetët le ta shohin çka është ka bëhet këtu. Që pesë vjet gati i bën Fitore Pacolli, kurrë nuk është marrë me neve, i ka vjedhë votat prej neve, është realisht kjo. ‘Hajde se ju ndihmojmë’, e kemi pasur takime. Problemi jonë i kah-motshëm nuk është ka trajtohet. Problemi për pronat, unë i përfaqësojë pesë mijë banorë, jam kryetar i këshillit”, tha ai.

Ai tha se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, meqë siç pretendoi ai u janë marrë pronat nga ish-AKM-ja, tash AKP-ja.

“Për hajne e ki me dokument, jo se marrë…

Pacolli: Kur të duash ballafaqohemi me drejtësinë, shko tek organet kompetente, shko në polici

Hoxha: Kjo është letra jote, me dokument po të them”, kanë thënë ata.

Kujtojmë, një incident verbal ka ndodhur të premten në një lokal në Prishtinë, ku një qytetar është përballur me deputeten Fitore Pacolli, duke e akuzuar për korrupsion dhe duke e quajtur “hajne”.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale, qytetari i është afruar tavolinës ku po qëndronte deputetja Pacolli dhe i ka ofruar të paguajë faturën e saj, duke i thënë se “duhet t’i vijë marre që po e vjedh Kosovën”.

“A të kujtohet kur thoshe hajna? I ke bërë miliardat”, dëgjohet të thotë qytetari gjatë konfrontimit verbal.

Deputetja Pacolli shihet në video duke ia hedhur faturën qytetarit dhe duke u ngritur në këmbë, teksa reagon ndaj akuzave.

“Unë nuk tu tutna. Nuk guxon të më prekesh”, i thotë ajo qytetarit në video.

Qytetari është ndaluar nga Policia e Kosovës për shkak të sjelljes së tij dhe tensioneve të shkaktuara në vendin e ngjarjes.


Murati numëron 64 vota: Duhet vetëm vullneti i deputetëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se do të mund të bëheshin 64 vota sot, nëse do të kishte vullnet individual të deputetëve.

Ai ka thënë se vetëm me vullnet politik tejkalohet bllokada.

“Uroj të gjendet vullneti te partitë opozitare, por edhe deputetët individualisht që më në fund ta kemi konstituim. Jemi te numri 57 me votat e Nismës mbi 60, jemi shumë afër. Me votat e Duda Baljes e Veton Berishës bëhen 62, me votën e Lutfi Hazirit që ka thënë ‘do bëhem vota 61’, bëhemi 63. Madje edhe me votën e Bekë Berishën bëhemi 64. Nuk është problem që të sigurohen votat për ta tejkaluar këtë ngërç vetëm duhet vullnet”, ka thënë ai sot para gazetarëve.


Zemaj: Kryeneçësia e LVV-së për të qenë në pushtet apsolut është duke i kushtuar Kosovës

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para fillimit të seancës së 53-të, tha se  kryeneçësia e LVV-së për të qenë në pushtet apsolut është duke i kushtuar Kosovës për pesë muaj pa konstituimin e Kuvendit.

Ai shtoi se pa marrëveshje politike nuk ka konstituim të Kuvendit.

“Jemi munduar me thanë në vazhdimësi që pa marrëveshje politike nuk ka konstituim të Kuvendit dhe nuk ka as qeveri të re të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj para mediave.

Ai shtoi se kryeneçësia e LVV-së për të qenë në pushtet apsolut është duke i kushtuar Kosovës për pesë muaj. /21Media


 


Shoqëria civile: Të përdoret rasti i fundit për zhbllokimin e Kuvendit

Organizatat e shoqërisë civile u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta përdorin me përgjegjësi ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, duke i kërkuar atyre të përmbushin detyrimin kushtetues dhe të hapin rrugën për formimin e institucioneve të reja.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat theksojnë se vendi ndodhet në një situatë delikate institucionale dhe se dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet politik dhe lidership të përgjegjshëm.

“Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit. Kthimi në votimin e hapur për Kryetarin e Kuvendit, sipas praktikës së deritanishme, është hap kyç për zhbllokimin e situatës,” thuhet në deklaratë.

Organizatat paralajmërojnë se një dështim tjetër për të konstituuar Kuvendin do të thellonte krizën politike dhe do të sillte pasoja serioze për vendin në planin politik, shoqëror dhe ekonomik.

Thirrja e shoqërisë civile vjen në një moment kritik, teksa vendi është në pritje të formimit të institucioneve të reja.


Sot përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 53-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Vazhdimi i seanës fillon në orën 14:00. Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet dje në përpjekjen e 52-të, një ditë para skadimit të afatit të vënë nga Gjykata Kushtetuese për finalizimin e procesit.

Lëvizja Vetëvendosje fajëson partitë tjera për bllokadën, Nisma Socialdemokrate bën thirrje që të pritet një tjetër aktgjykim i Kushtetueses.

Diplomatët perëndimorë shprehën shqetësim për krizën institucionale, teksa qytetarët gjithnjë e më shumë po humbin besimin për një marrëveshje midis partive.

Dje kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Nga deputetë të pranishëm 107 në sallë, për votuan 54 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Vlora Çitaku nga PDK kërkoi që Dehari që të kthehet në pikën e rendit të ditës. Edhe Hykmete Bajrami nga LDK, kërkoi nga Dehari që të khehet në pikën e rendit të ditës. Edhe Time Kadriajaj nga AAK, kërkoi nga Dehari që të kthehet më pikën e rendit të ditës.

Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si në çdo seancë edhe dje zgjodhi të heshtë dhe të mos përgjigjet në pyetjet e gazetarëve për përgjegjësinë e tij kushtetuese që të krijojë shumicën si parti e parë fituese dhe vendit t’ia japë institucionet.

Back to top button