Dështon konstituimi i Kuvendit, ndërpritet seanca

(Lajm i përditësuar)


Peci: Opozita dhe Lista Serbe e pamundësuan konstituimin e Kuvendit

Deputeti i Listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci akuzoi Listën Serbe dhe partitë e tjera për dështim të seancës konstituive, duke u shprehur se e kishin e emrin e kandidatit për kryeparlamentar.

Peci tha para mediave se janë të gatshëm ta shpalosin emrin “kurdo që vjen koha”.

“Lista Serbe dhe opozita pamundësuan hapin e parë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit…Në rast se do të verifikoheshin mandatet, ne kemi pasur emrin për kryetar, kurdo që vjen koha e shpalosim”, ka thënë Peci.


Dështon konstituimi i Kuvendit

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës, pasi tha se s’ka shumicë për vijim të saj.

Ai njoftoi se “detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”.


Krasniqi: Nuk mund ta votojmë një raport që është antikushtetues

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk mund ta votojë një raport i cili është në kundërshtim me kushtetutën.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta votojë një raport, i cili është në kundërshtim me kushtetutën.  Nëse do të ndodhë ajo që është kërkuar qysh herët, pra dorëheqja nga pozicionet ekzekutive, atëherë mund të ndryshojë situata”, ka thënë ai.


Zemaj: S’na është paraqitur me kohë dokumentacioni sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave

Anëtari i Komisionit për verifikim të mandateve, nga LDK-ja, Armend Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

“Për të siguruar siguri kushtetuese që nuk do të ketë shkelje të aktit më të lartë juridik të Kosovës, ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë dhe na është paraqitur në komision një letër e drejtuar sot nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Letër e cila do të duhej të shpërndahej gjithë qytetarëve të Republikës, poashtu të Komisionit Qëndror Zgjedhor dhe presidentës së vendit në ditën e certifikimit të rezultateve”, tha Zemaj.

“Në nuk besojmë që kryeministri aktual, që tash është në dorëheqje sipas kësaj letre, nuk do ta shkel Kushtetutën dhe nuk do të kthehet në Zyrën e Kryeministrit. Me dhënien e betimit do të përfundojnë të gjitha mandatet”, ka shtuar ai.


Kuvendi nuk e voton raportin e Komisionit për mandate

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha kryesuesi i seancës.


Abrashi: PDK, LDK e AAK ishin kundër raportit për dokumentacionin e Komisionit

Artan Abrashi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtar i Komisionit për verifikim të mandateve, ka njoftuar se është shqyrtuar dokumentacioni për legjislaturën e nëntë, e kundër këtij raporti kanë qenë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së.

Pro dokumentacionit ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ai përmendi numrin e deputetëve të partive, derisa tha se në sallë janë 119 deputetë prezentë.


​Haradinaj e Limaj nuk përshëndeten në seancë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë parë që janë përshëndetur e as të bisedojnë me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj arriti përpara Limajt në kuvend dhe qëndronte në telefon, derisa ky i fundit pas nënshkrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës, kaloi pranë Haradinajt, por që nuk u përshëndetën fare.

Haradinaj dhe Limaj hynë në koalicion për të garuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ndërkaq, po raportohet për një marrëveshje të mundshme në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj për votimit e qeverisë së re.


Formohet komisioni për verifikimin e mandateve

Partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë propozuar emrat e tyre për anëtarë të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.

Ky komision udhëhiqet nga LVV-ja, partia fituese e zgjedhjeve.

Formimi i këtij komisioni është pika e parë e rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit.

Në sallë janë të pranishëm 119 deputetë, të cilët votuan për krijimin e këtij komisioni të përkohshëm.


Një orë me vonesë ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Të gjitha partitë parlamentare janë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Seancën e sotme po e udhëheq Avni Dehari dhe Sala Jashari./21Media


VV-ja hyn në sallën plenare të Kuvendit

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në prag të nisjes së konstituimit të Kuvendit.

Kjo parti, që ka fituar zgjedhjet, duhet të propozojë kryetarin e ri të Kuvendit, për të cilin i duhen 61 vota. Ende nuk dihet se kush do të jetë kandidati i këtij subjekti për këtë post.


Deputetët e Listës Serbe arrijnë në Kuvend

Sot mbahet seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur edhe deputetët e Listës Serbe. Megjithatë, nuk u deklaruan për media.

Seanca ishte caktuar të nisë në ora 10:00, por që seanca ende nuk ka nisur as pas 50 minutash vonesë./21Media


Bajrami: Në qoftë se LVV ka propozim për emrin e kryetarit të Kuvendit duhet t’i ketë edhe votat

Shefja e re e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK nuk ka ndryshuar qëndrim.

Ajo para mediave sot tha se në qoftë se Vetëvendosje ka propozim për emrin e kryetarit të Kuvendit duhet ti ketë edhe votat për ta votuar.

“Nuk ka asnjë marrëveshje për deputetët, LDK dhe grupi parlamentarë nuk kanë ndryshuar asnjë qëndrim, ne nuk do ta votojmë propozimin. Ne konsiderojmë që në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje ka propozim për emrin e kryetarit të kuvendit duhet ti kenë edhe votat për të votuar”, tha Bajrami. /21Media


Balje konfirmon se ka ofertë për të qenë pjesë e qeverisë

Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka konfirmuar për mediat se ka marrë ofertë nga Lëvizja Vetëvendosje për të qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar.

Balje, kryetare e Unionit Socialdemokrat e bëri këtë konfirmim pak kohë para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.


Hasani: Nuk ka ndryshim të qëndrimeve

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani përsëriti qëndrimin e PDK-së kundër qeverisë Kurti 3.

Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Hasani tha se qëndron prapa qëndrimeve të tij.

“Ne kemi thënë njëherë se nuk e votojmë Qeverinë Kurti dhe qëndroj prapa qëndrimeve të mija”, tha Hasani.

Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës mbahet sot, më 15 prill. Aty, deputetët pritet ta bëjnë betimin dhe më pas të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve – nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit.

Kjo parti ende nuk ka treguar edhe nëse i ka votat për formimin e qeverisë së re, hap ky që vjen pas konstituimit të Kuvendit.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë nevojiten 61 vota.


Veton Berisha thotë se do të votojë për kryeparlamentarin

Kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se do të mbështesë secilin kandidat që do ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.

Sa i përket mbështetjes së Qeverisë nga LVV-ja, Berisha tha se “ende nuk kemi marrëveshje”.

“Ne jemi për të ndërtuar institucionet e Kosovës, pastaj shohim se si do të veprojmë”, tha ai duke iu referuar mbështetjes për ekzekutivin e ri.


Ambasadorët e akredituar mbërrijnë në Kuvend

Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë mbërritur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, pak para nisjes së seancës konstituive. Seanca ishte caktuar të fillojë në ora 10:00.

Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës mbahet sot, më 15 prill. Aty, deputetët pritet ta bëjnë betimin dhe më pas të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve – nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit.

Kjo parti ende nuk ka treguar edhe nëse i ka votat për formimin ne qeverisë së re, hap ky që vjen pas konstituimit të Kuvendit.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë nevojiten 61 vota.

Seanca sot do të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar i legjislaturës së nëntë që është Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re në moshë, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo seancë ka gjithsej 4 pika: formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, pastaj betimin e 120 deputetëve të rinj dhe pastaj zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas zgjedhjen e nënkryetarëve.


Deputetët hyjnë në sallën plenare

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që ka dalë e dyta në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë nisur që të hyjnë në sallën plenare.

Kjo parti ka deklaruar më herët se nuk do ta votojnë kryeparlamentarin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.


Rashiq thotë se Komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Qeveri

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka thënë se komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në qeverinë e re.

Ai ka deklaruar se do të votojë pro formimit të Qeverisë Kurti.

Në hyrje të Kuvendit për seancën konstituive, Rashiq ka thënë se nuk e di nëse deputetes Duda Balje i është ofruar ndonjë post qeveritar.


Haradinaj: Opozita do të ketë qëndrim të përbashkët për kryeparlamentarin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të ketë një qëndrim të përbashkët me partitë e tjera opozitare – PDK dhe LDK – sa i përket votimit të kryeparlamentarit. Ai tha se partia e tij, në parim është për konstituimin e Kuvendit.

“Në princip ne kemi qenë dhe do të jemi për konstituimin e Kuvendit. Por, nuk do të ndahemi me opozitën”, tha Haradinaj në prag të nisjes së seancës konstituive.


Limaj nuk flet para seancës konstituive

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, nuk ka pranuar të flasë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, për seancën konstituive.

Ai ka thënë shkurt se sot është ditë solemne.

Limaj, që po rikthehet në Kuvend, ka qenë emri më i përfolur si partner i mundshëm i Albin Kurtit për të formuar shumicën prej 61 ulësesh në Kuvend.

Megjithatë, një ditë më parë, ai u shpreh se nuk ka marrëveshje me VV-në.


Kurti arrin në Kuvend, s’përgjigjet nëse i ka votat 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbërritur në Kuvend për seancën konstituive. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse i ka votat.

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit dhe as nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij.


Rexhepi përkrah Kurtin edhe pse s’merr post qeveritar

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka thënë se do ta votojë formimin e Qeverisë Kurti edhe pse ka pranuar se nuk do të marrë vet post qeveritar.

“Patjetër që do e votoj Qeverinë. Ne jemi pjesë e Qeverisë, veç unë nuk e kam marrë atë ofertën që të jem ministresha. Kthehem në parlamentar, ama jemi pjesë e Qeverisë”, ka thënë ajo para hyrjes në Kuvend për seancën konstituive.

Rexhepi ka thënë se dikush prej komunitetit boshnjak duhet të jetë në post të ministrit. “Unë s’jam kundër. Këtë e vendos kryeministri”, ka thënë tutje ajo.

Diskutimet për kundërshtime nga ky komunitet ka pasur, pasi deputetja Duda Balje kushtëzoi përkrahjen për qeverinë me krijimin e Komunës së Reçanit.

Nga 10 deputetët joshumicë joserbë, 3 janë të komunitetit boshnjak.


Deputetët e LVV-së nisin të hyn në Kuvend 

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla, së bashku me Agim Bahtirin dhe Sali Zybën, janë parë teksa hynë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku do të mbahet seanca konstituive.

Deputetët e zgjedhur sot betohen në seancën nis në orën 10:00 dhe në rend dite është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Megjithatë, përveç themelimit të komisionit verifikues dhe betimit të deputetëve, mbetet e pa qartë nëse sot do të arrihet të zgjedhet kryetari, emrin e të cilit duhet ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje, si parti që ka dal e para në zgjedhje, e për të cilin, kjo parti duhet t’i ketë 61 vota.

Seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri në moshë, e që janë Avni Dehari e Sala Jashari.


Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme ishte caktuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.

Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndryshe kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.

Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).

Deri dje deputetët e zgjedhur janë regjistruar në intervale të ndryshme kohore.

Back to top button