Dështon përpjekja e shtatë për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Abdixhiku pas dështimit të seancës: LVV-ja duhet të ofrojë zgjidhje, nuk e di pse nuk po e bëjnë
Kryetari I Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë zgjidhje, pasi me partitë tjera e ka një shumicë minimale.
“I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e bëjnë”, tha ai shkurt pas dështimit të seancës.
VV-ja sërish ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparalamnetare, duke bërë që seanca të shtyhet për të martën, pasi kandidatja e tyre mori sërish vetëm 57 vota.
Kjo ishte përpjekja e shtatë e dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Peci: Është e papranueshme që opozita të thotë që kanë të drejtë për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka deklaruar se është e papranueshme që opozita të kenë të drejtë për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Është e papranueshme që partitë opozitare të thonë që këtë të drejtë që ja u ka dhënë qytetari edhe interpretimi i Gjykatës Kushtetuese na lejoni neve që ne ta kemi të drejtën që ta zgjedhim se kush duhet të jetë kryetari i Kuvendit”, tha ai. /21Media
Murati i VV-së: Zgjedhjet skenari i fundit, ne do të ishim të gatshëm të shkojmë në zgjedhje
Deputeti i zgjedhur i VV-së, Hekuran Murati lidhur me konsituuimin e Kuvendit ka thënë se opsioni i shkuarjes në zgjedhje mbetet skenari i fundit për zgjidhje.
Ai ka deklaruar se LVV “nuk është që nuk jemi të gatshëm ne do të ishim të gatshëm të shkojmë në zgjedhje”.
“Opsioni për të shkuar në zgjedhje mbetet skenari i fundit për neve si subjekt fitues nuk është që nuk jemi të gatshëm ne do të ishim të gatshëm të shkojmë në zgjedhje, megjithatë ne mendojmë që qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe të gjitha subjeket duhet të pajtohen me atë rezultat”, tha Murati. /21Media
Murati: VV-ja nuk po e bllokon këtë proces, por deputetët që po votojnë kundër
Deputeti i zgjedhur i VV-së, Hekuran Murati është deklaruar për media pas dështimit të radhës për të konstituimit të Kuvendit.
Ai thotë se VV-ja nuk po e bllokon këtë proces, por deputetët që po votojnë kundër, abstetnojnë apo edhe nuk vijnë në seancë fare.
“Ne s’bëjmë bllokadë, kur vota jonë është për. Ne kemi vota për, s’mund të votojmë për tjerët, sepse kaq vota kemi kaq na kanë dhënë qytetarët…57 vota të deputetëve “Për”, dhe vlen të theksohet se janë të përfaqësura të gjitha komunitetet pakicë në ato vota. Por, mungon që votat e subjekteve shqiptare të marrin pjesë të zhbllokojnë. Te votat kundër pati rënie, 41 vota kundër. Ne si parti fituese kemi kryer obligimin tonë kushtetues, kemi propozuar kandidatin”, tha Murati. /21Media
Bajrami e LDK-së: Nuk kemi votë për Albulena Haxhiun, por as për një kandidat tjetër
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se sot LVV për herë të shtatë pengoi konstituimin e Kuvendit.
Ajo shton se LDK nuk ka votë as për Haxhiun dhe ndonjë kandidat tjetër nga Vetëvendosje.
“Jam këtu për të shpreh shqetësimin në emër të LDK-së që Lëvizja Vetëvendosje sot për herën e shtatë pengoi konstitumin e kuvendit të kosovës, Anjshtajni e ka thënë shumë qartë është çmenduri me përsërit veprimin e njëjtë dhe me prit rezultat ndryshe, është e sata herë që për zonjën Haxhiu ka vetëm 57 vota dhe keni pa sa herë që vin eksponent të LVV-së deklarohen që mbase partitë opozitare kanë reflektuar, mund të them në emër të LDK-së që ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun por as për një kandidat tjetër”, tha Bajrami. /21Media
Kadrijaj: VV-ja qëllimshëm s’po e ndryshon kandidatin për Kryeparlamentar
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se votat e njëjta po përsëriten në secilën seancë, dhe se VV-ja po do ta bllokojë situatën në Kosovë.
Ajo ka shtuar se nuk ka pasur asnjë angazhim dhe ndryshim nga Vetëvendosje.
Kadrijaj thotë se 57 votat e famshme të Albin Kurtit janë kaq vota për qeverinë, ku shton se ato qëllimshëm me kandidaten e propozuar për kryeparlametare po dëshiron të bllokojë situatën në Kosovë.
“Ju e patë që nuk ka asnjë angazhim edhe nuk ka asnjë ndryshim, këto vota po përsëriten, dmth ky 57 votat të famshme të Albin Kurtit që do të thot kaq vota i ka edhe për qeverinë por qëllimshëm me kandidaten e propozuar për kryeparlametare po don me blloku situatën në Kosovë. Kjo është një realitet, ata nuk kanë bërë asnjë lëvizje sepse nëse do kishin bërë ndonjë angazhim për sigurim të votave së paku nashta kishin mujt me siguru edhe një votë dhe me ba një ndryshuim për një votëm rezultati po përsëritet në vazhdimsi dhe unë po mendoj që kta qëlllimshëm po e bëjnë këtë me kandidaten e propozuar sepse nuk i kanë votat për formimin e qeverisë”, tha Kadrijaj para mediave. /21Media
Limaj: U pa mjaftueshëm, shpresoj të reflektohet
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se “është parë mjaftueshëm” ngërçi në Kuvend dhe se tash pret reflektim që të krijohet një shumicë në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë.
“Deri sot ka pas afat me u thirre seanca. Sot po shohim njëfarë konfuzioni. Kuvendi ka pasur obligim brenda muajit të thirret. Duhet të krijohet shumica parlamentare që zgjedhë edhe Kuvendin edhe Qeverinë. Shpresoj që mjaftueshëm është parë dhe shtresuar dhe po shpresoj se do të reflektohet e do të ketë kapacitete për të ndërtuar një shumicë qeverisëse që reflektohet edhe në Parlament edhe në Qeveri”, ka thënë ai.
Krasniqi: VV duan me zor ta bëjnë Albulena Haxhiun, nuk kalon
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se situata që po ndodh në Kuvend është për shkak të tekeve të Lëvizjes Vetëvendosje, për ta “mbajt peng shtetin për shkak të një njeriu”.
Ai u shpreh se insistimi për Haxhiun Kryeparlamentare po e pamundëson që të lëvizet nga ky pozicion që është Kuvendi, dhe se shtoi se VV-ja se ka shumicën.
Sipas të parit të PDK-së çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e dëshirës, ku shton se “nëse vërtetë LVV nuk dëshiron të dalë nga bllokada më mirë të shkojmë në zgjedhje”.
“Qytetarët presin prej neve që ne ti kryejmë detyrat të cilat na i kanë ngarku si deputet, që të punpojmë për temat që ju interesojnë atyre për interesin e vendit tonë dhe jo të vijmë këtu cdo dy ditë të dëgjopjmë të njejtën fjali nga përfaqësuesit e vetëvendosjes dojnë me ba me zor Albulena haxhiun kryetare të kuvendit, nuk kalon Albulena Haxhiu i kane edhe 47 opsione të tjera prap besoj që rruga e vetme drejt zhbllokimit është që ata të dorëhiqen nga ky mentalitet bllokues dhe të vijnë me propozime të tjera. E kam thanë secilën konferencë nuk më takon mu me ju propozu kandidat sepse propozimin duhet me ba Lëvizja Vetëvendosje, po nuk munden shtatë herë me provu me të njëjtin njeri i cili nuk ka më shumë se 57 vota dhe me ardh prap ne të martën këtu tashmë një muaj më shumë ka kalu certifikimi i rezultateve dhe e kemi kandidaten e njejt, nuk mbahet shteti peng për një njëri kushdo qoftë aj një kandidat tjetër unë ju kam thanë edhe më herët, tashmë ka kandidat që e kanë shumicën, sepse kolegët nga opozita tashmë e kanë shprehur vullnetin me i votu dy kandidate tjera të VV-së, pse duhet me mbetë peng Kuvendi pse duhet me mbet peng institucionet, pse duhet me met peng shteti sepse kta janë tek me propozu një kandidate që ska vota kur i kanë së paku dy që i kanë votat tashmë. E kemi shprehur qartë që nuk e votojmë Haxhiun. Çështja e zgjedhjeve nuk është çështje e dëshirës. Ato zgjedhje kanë prodhuar një rezultat. Qeveria që kaloi nuk e ka marr shumicën, nëse vazhdon kjo bllokadë më mirë të shkojmë në zgjedhje, kam propozuar edhe datën e mundshme. Nëse vërtetë LVV nuk dëshiron të dalë nga bllokada më mirë të shkojmë në zgjedhje. Mendoj që sikur të ishin të sinqertë dhe s’duan të ndryshojnë, mirë kish me qenë me u mbledh dhe me caktu datën e zgjedhjeve. PDK është e gatshme me diskutu për një datë”, tha ai para gazetarëve. /21Media
Dehari: Seanca konstituive vazhdon të martën nga ora 10:00
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë vazhdimin e seancës konstituive pasi kandidatja e VV’së, Albulena Haxhiu, i mori 57 vota.
“E ndërpresim seancën, seanca tjetër më 29 prill në ora 10:00”, deklaroi ai.
Ndërkaq kjo ishte përpjekja e shtatë e dështuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /21Media
Nis seanca konstituive
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ndonëse me vonesë.
Sot sërish pritet të votohet Albulena Haxhiu për Kryetare të Kuvendit, pas katër tentativa të dështuara për t’i grumbulluar votat.
Partitë opozitare para nisjes së seancës kanë deklaruar se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar, pra nuk e votojnë kandidaten e VV-së për këtë pozitë.
Megjithatë, pritet të shihet se çfarë do të ndodhë gjatë seancës së sotme.
Kurti sërish as edhe një fjalë para seancës për zgjedhjen e Kryeparlamentarit
Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka arritur në Kuvendin e Kosovës ku pritet të vazhdohet seanca konstituive.
I rrethuar nga truprojat e tij, Kurti sërish nuk pranoi të deklarohej para gazetarëve.
Kjo është tentativa e shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë VV-ja ka deklaruar se nuk do të ndryshojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, e që sërish do jetë emri i Albulena Haxhiut.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj deklaroi se presidentja Vjosa Osmani duhet t’i ftojë partitë parlamentare në takim. Ai tha se janë të gatshëm që të japin zgjidhje, meqë sipas tij kjo situatë e krijuar është e pakuptimtë.
Para fillimit të seancës, Haradinaj u shpreh se duhet të ketë diskutim.
“Ne jemi të gatshëm që t’i japim zgjidhje në rast se do të jenë dy emra të tjerë të mazhorancës, por sido që të jetë i takon mazhorancës që të jap një zgjidhje se duket që kështu do të shkojë deri në pafundësi. Më mirë do të ishte me u ulë edhe me bisedu edhe me i dhënë një zgjidhje. Ne kemi thënë që edhe presidentja duhet t’i ftojë, me bisedu edhe me gjet një zgjidhje”, u shpreh ai.
Tutje, Haradinaj theksoi se kjo situatë nuk po i jep imazh të mirë Kuvendit të Kosovës.
“Kjo situatë çfarë është krijuar do të ishte shumë e rrugës që presidentja t’i fton partitë parlamentare, aty të gjendet një zgjidhje dhe brenda seancës t’i jepet një drejtim. Për shkak se edhe kjo formë si po ndodhë nuk është fort që po i jep imazh të mirë Kuvendit. Shihet që gjithë deputetët janë në depresion për shkak se nuk ka atmosferë pune dhe më mirë do të ishte me i dhënë një drejtim dhe jo kështu”, shtoi Haradinaj.
Ai nuk foli për emra, derisa u pyet nëse janë pro propozimit që Glauk Konjufca të jetë kryeparlamentar.
“Nominimi i Albulenës duket që nuk ka qenë shumë i qëllimshëm për të bërë zgjidhje, por më shumë ad-hoc sa për të hyrë në këtë bllokade. Ta shohim tash, nuk po flasim për emra, jemi për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt që është e mundur sepse është e pakuptimtë në çfarë situate jemi”, përfundoi ai.
Seanca e shtatë konstituive, Limaj nuk deklarohet për media
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj nuk është deklaruar për media, pak minuta para nisjes së seancës së shtatë konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo është e pazakontë për Limaj, pasi në çdo paraqitje ai ka dhënë mendimin e tij para gazetarëve.
Gashi: Për keqardhje situata në Kuvend, partitë të bëhen më të përgjegjshme
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka theksuar se situata është për keqardhje me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Ai pret që të gjitha partitë të tregohen më të përgjegjshme për të gjetur një zgjidhje.
“Mendoj se është për keqardhje situata, por pres që të gjitha partitë politike, duke filluar nga Lëvizja Vetëvendosje, fillojnë të bëhen më të përgjegjshme dhe të gjejnë një zgjidhje. Kjo është pyetje për gatishmërinë, por që kohë është pyetje për kryetarin e partisë, mendoj se presidentja në këtë rast nuk ka kompetencë. Është çështje kryekëput partive politike dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. A problemi është nuk është vetvete vakuum kushtetues, është mungesë e vullnetit të gjetjes zgjidhjes dhe kur ka mungesë vullneti që t’i zgjidhet, gjithmonë gjendet hapësirë për me bë probleme Unë jam pjese e partisë, edhe po nuk flas në emrat e partisë apo grupit parlamentar. Njërën prej tyre që e kam një mendim pa ka ndryshe për këtë çështje. E kur do të vazhdoni që të gjeni çdo 48 orë nëse vazhdon kjo çështje? Do të vazhdoj deri në të gjendet një zgjidhje, derisa të gjendet”, tha Gashi para mediave.
Deputeti i LDK-së ndër të tjera tha se s’është kompetencë e Presidentes që të ftohen partitë politike për të zgjidhur këtë bllokadë.
Mendoj se Presidentja nuk ka kompetencë, është çështje kryekëput e partive politike”, tha ai. /21Media
Krasniqi: Do ta votojmë Haxhiun për kryeparlamentare
Lideri i Inciativës së Re Demokratike të Kosovës(IRDK) Elbert Krasniqi ka thënë se do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.
Ai ndër të tjera shton se LVV-së i takon propozimi për kryetar të Kuvendit.
“Për Vetëvendosjen e krejt Vetëvendosjen, e drejta e propozimit i takon partisë fituese, ajo e ka bo një propozim dhe ne si partnerë të koalicionit unë të them kështu jemi pro të gjithë shtatë nga deputetët tonë të grupit multientik që ta votojmë kandidaten e përputhur nga Lëvizja Vetëvendosje. Unë mund të them që propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje, ai e ka bo propozimin e saj dhe ne të tjerët si partnerë të koalicionit jemi në rregull me propozimin e Albulena Haxhiut. A e ke lexu mesazhin? Lexoje mesazhin! Qëllimi ka qenë dhe mund të jetë prapë që ata dëshirojnë të jenë pjesë me votën e tyre në ndonjë proces, në mënyrë që të krijohet ideja që ka ndonjë koalicion. Por ne si grup multietnik nuk jemi me asnjë kuoalicion ku janë edhe lista serbe për shkak se është listë e cila i prin Radojçiq”, u shpreh Krasniqi para mediave. /21Media
Emilija Rexhepi thotë se “ndoshta ka” takim me Duda Baljen: Shohim sot
Deputetja boshnjake, Emilija Rexhepi tha “ndoshta ka”, kur u pyet nëse kanë pasur ndonjë takim me deputeten tjetër boshnjake, Duda Balje, e cila s’është bindur ende për ta votuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
“Ndoshta ka. Shohim sot”, tha ajo duke hyrë në Kuvend, ku pas pak pritet të vazhdojë seanca konstituive.
Vetë, ajo do të votojë për Haxhiun kryeparlamentare, ndërsa tha se me Albin Kurtin nuk kanë folur për pozita.
“Votojmë, votojmë sot. S’kemi folë për pozita. E votojmë kryetarin e Parlamentit njëherë”.
Bajqinovci i LVV-së: Pres të reflektojë opozita
Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se kandidatura për kandidate për krye parlamentare Albulena Haxhiun është e caktuar nga partia dhe sipas tij ajo është gruaja më e votuar në nivel vendi.
“Po me siguri që nuk ka marrëveshje, për shkak se çështja kryesore është që kandidatura për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon propozuesit, në këtë rast partisë e cila i ka fituar zgjedhjet. Unë e thashë që neve na takon propozimi dhe këtë duhet me e respektu opozita, pastaj të kalojmë nëse i kanë votat për Qeveri le ta zhbllokojnë çështjen e kryetarit të Kuvendit. Andaj, mendoj që nuk i kanë votat për krijmin e Qeverisë as opozita dhe tash po tentohet ta bllokojnë kandidaturën për kryetar të Kuvendit. Pse nuk e ndrroni kandidaturën? Po këtë e vendos partia, kryesia e partisë dhe unë mendoj që Kandidaturën për gruan më të votuar në vend, unë nuk e di pse duhet me ndërru dhe çka dallon nëse e bjen tjetrin. Pra, unë mendoj që kandidatura është e caktuar nga partia dhe është gruaja më e votuar në nivel vendi, unë besoj që këto parametra veç i plotëson dhe unë besoj që duhet shku përpara sot dhe po pres reflektim nga opozita që sot kaloi. Mos t’ia humb, kohën popullit, kohën e çmuar”, deklaroi ai para mediave.
Bajqinovci pret nga opozita të ketë reflektim për zgjedhjen e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
“Unë pres të reflektojë opozita, pra me u maturu dhe mos me ia humb kohën popullit, kohën e çmuar popullit në Republikën e Kosovës dhe të votoj sot për kandidaten, të cilën Kushtetuta e thotë se e propozon partia e cila i ka fituar zgjedhjet në Republikën e Kosovës. Andaj, unë pres sot reflektim nga pozita që të votohet dhe të zhbllokohen institucionet dhe të kalojnë më tutje për formimin e Qeverisë”, tha ai. /21Media
Krasniqi: Zgjidhja – ndonjë kandidat tjetër
Propozimi i një kandidati tjetër për kryeparlamentar dhe jo i Albulena Haxhiut, mund të jetë zgjidhja për daljen nga ngërçi në Kuvend të Kosovës, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Ishalla lëviz diçka. Ndoshta kanë ndërruar kandidatin po shpresoj. Përndryshe, duan të vazhdojnë bllokadën. Zgjidhja, po, ndonjë kandidat tjetër”, ka thënë ai për gazetarët para hyrjes në Kuvend.
Faton Peci tregon se a kanë arritur marrëveshje për krijimin e institucioneve
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci mendon se ka diskutime të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit.
Ai para mediave tha sot se Kosovës i duhen sa më parë institucionet ku shton se çdo ditë që e humbet në drejtim të konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të institucionit është humbje për Kosovën.
“Po besoj që ajo që pritet është procesi i votimit e të shpresojmë Kosovës i duhet sa më shpejt institucionet, çdo ditë që e humb unë në drejtim të konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të institucionit është humbje për Kosovën, në funksion të kësaj, menoj që duhet me reflektu. Po mendoj diskutime ka të vazhdueshme, tash të shohim rezultatin., epilogu i votimit në Kuvend, tregon nëse ka ose s’ka”, tha Peci. /21Media
Fejza e VV-së: S’kemi ndryshuar qëndrimet
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim për seancën konstituive.
Sot Kuvendi mban përpjekjen e shtatë për konstituim të legjislaturës së nëntë. Ngërçi është shkaktuar te propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar. Partia fituese ka propozuar Albulena Haxhiu, por në katër votime deri tash ajo ka marrë nga 57 vota. Partitë e opozitës së katër vjetëve të shkuara kanë kërkuar ndryshim të kandidatit, ndërsa Lidhja Demokratike ka thënë se nuk e voton askënd.
“S’kanë ndryshuar rrethanat. Normalisht që s’kanë ndryshuar as qëndrimet tona”, ka thënë Fejza në hyrje të Kuvendit.
Kadrijaj: S’presim asgjë të re, s’e votojmë Haxhiun
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se as në seancën e ftuar për të dielën nuk presin të ketë ndonjë ndryshim në propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar.
Megjithatë, ajo ka përsëritur qëndrimin e saj se Albulena Haxhiu nuk do të marrë votat e AAK-së për këtë pozitë.
“S’po presim asgjë. S’kemi pasur asnjë ftesë. Kjo shumica duhet t’i ketë votat. Kjo klasë politike duhet të angazhohet që të sigurojë shumicën e thjeshtë. Ne s’kemi parë ndonjë angazhim të tillë. S’kemi ndonjë ftesë. S’kemi ndonjë risi. S’dimë a do të ndryshojë kandidati. S’do ta votojmë kandidaten për kryeparlamentare”, ka thënë ajo në hyrje të Kuvendit, në prag të seancës së shtatë për konstituim.
AAK-ja ka thënë se nëse VV-ja propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin, do t’i votonte për kryeparlamentare.
Për herë të shtatë tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e shtatë të seancës për konstituimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Vazhdimi i seancës nga ora 10:00 është caktuar nga kryesuesi Avni Dehari në vazhdimin e gjashtë të seancës për formimin e përbërjes së re të legjislativit.
Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parasheh që çdo ndërprerje e seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë.
Në vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive, më 25 prill, Lëvizja Vetëvendosje dështoi të sigurojë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të re të Kuvendit. Kjo ishte hera e katërt që partia e Albin Kurtit dështoi të merr 61 votat e nevojshme për të parin e legjislativit.
LVV ka theksuar se bllokimi i Kuvendit nuk mund të shkojë në pafundësi, duke përmendur afatet ligjore që përcaktojnë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve duhet të konstituohet Kuvendi. Pikërisht, ky 30 ditësh është sot më 27 prill, pasi më 27 mars KQZ bëri certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët, për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re, për të cilën Albin Kurti nuk i ka votat e nevojshme.
Albulena Haxhiu shihet nga opozita figurë përçarëse, por Vetëvendosje këmbëngulë se ajo është kandidate meritore pasi është gruaja më e votuar në zgjedhjet e shkurtit. Në tentimet e deritanishme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit, ish-ministrja e Drejtësisë ka marrë 57 vota më së shumti.
PDK dhe AAK kanë thënë se partia e parë fituese duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për kryetar Kuvendi, derisa LDK ka paralajmëruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.
Partitë politike nuk kanë përjashtuar shkuarjen në zgjedhje të reja, por për një gjë të tillë, së pari, duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë, pas së cilës ajo do të shpërbëhej dhe presidentja e Kosovës do të caktonte datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Vjosa Osmani ka potencuar se është e rëndësishme që sa më parë të konstituohet legjislatura e nëntë, teksa për çështjen e koalicioneve eventuale ka theksuar se është temë e partive politike dhe se ajo qëndron jashtë këtij diskutimi.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV ka fituar 48 mandate, PDK 24, LDK 20 dhe koalicioni AAK-NISMA 8 mandate.
Kujtojmë, në zgjedhjet 2011, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 7 shkurt, ndërsa legjislacioni i atëhershëm u konstituua në seancën e parë konstituive më 21 shkurt. Në zgjedhjet 2014, certifikimi kishte ndodhur më 8 qershor, seanca e parë konstituive më 17 korrik, ndërsa legjislatura e asokohe u konstituua më 8 dhjetor.
Në zgjedhjet 2017, rezultatet u certifikuan më 8 korrik, seanca e parë konstituive u mbajt më 3 gusht, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua më 7 shtator.
Dy vjet, më vonë, certifikimi i rezultateve u bë më 27 nëntor 2019, seanca e parë konstituive më 24 dhjetor, ndërsa legjislatura e atëhershme u konstituua dy ditë më vonë – më 26 dhjetor.
Në zgjedhjet e 2021-së, KQZ-ja certifikoi rezultatet më 13 mars, ndërsa 9 ditë më vonë – më 22 mars u mbajt seanca konstituive, ku edhe u konstituua legjislatura e tetë.