Dështon rishikimi i buxhetit “me nguti”

(Lajm i përditësuar)


Dështon rishikimi i buxhetit “me nguti”

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie nga afati procedural për rishikimin e Ligjit për Buxhetin 2026 në votimin e së shtunës në Kuvend, ka dështuar.

Mocioni për këtë çështje mori 57 vota “për” ndërsa 48 deputetë votuan “kundër”. Mirëpo, para votimit pati debat mes pushtetit dhe partive opozitare. Përfaqësues të qeverisë dhe shumicës në parlament thanë se rishikimi parasheh pakon mbështetëse për qytetarët që lidhet me inflacionin, e cila kap vlerën prej 200 milionë euro, ndërkaq opozita kundërshtoi procedurat e ngutura.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, theksoi nevojën pse sipas saj, Vetëvendosjes dhe qeverisë, duhet të bëhet kjo shmangie e afateve procedurale për rishikimin e buxhetit.

“Shmangie nga afatet e përcaktuara për shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026. Propozojmë që shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet në datën e sotme. Nevojat e reja financiare dhe veçmas për shkak të situatës aktuale që gjendemi si Kuvend”, tha ajo.

Por, ky propozim nuk u mirëprit nga LDK. Deputeti i kësaj të fundit, Besian Mustafa, tha se rishikimi i buxhetit është çështje e rëndësishme dhe jo një ligj i rëndomtë, andaj, sipas tij, nuk duhet të diskutohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me shmangie të procedurave.

“Nuk është një ligj i rëndomtë, por ligj i rëndësisë vitale pasi përcakton buxhetin për të gjitha shpenzimet dhe si i tillë ka procedura mjaft strikte sesi procedohet si ligj apo rishikim. Fatkeqësisht edhe në këtë seancë po kërkohet shmangie nga këto procedura pa e diskutuar në hollësi përmbajtjen e rishikimit të ligjit për buxhet. Si parim dhe mungesë e përcjelljes së procedurave, LDK voton kundër shmangies së procedurave”, shtoi ai.

Kritika për këtë çështje nuk i kurseu as AAK, me anë të shefit të saj në Kuvend, Besnik Tahiri.

“Sot nuk guxojmë të rrezikojmë shtetin duke i fundosur, shkelur secilin rregull që institucioni më i madh ligjvënës e ka. Parlamenti nuk është vend për vendime të rastësishme. Nuk është për improvizime dhe iniciativa çdo ditë jashtë rendit të ditës”, deklaroi ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se shmangia nga procedurat për rishikim të buxhetit prek vetëm Ministrinë e Financave dhe se aty, sipas tij, përfshihet pakoja mbështetëse 200 milionëshe për qytetarët.

“Bëhet fjalë për pakon mbështetëse për përballje me inflacionin që është paralajmëruar në këtë kuvend, pikërisht në seancën ku kishim debatin sesi t’i dilet në mbështetje qytetarëve. Ishte ai debat që nga të gjithë ju kërkohej që qeveria t’iu dalë në mbështetje qytetarëve. Ne e paralajmëruam dhe ja ku e keni sot. Pako e tillë në këtë rast përbëhet prej 122 milionë euro shtesë buxhet që sigurohet nga të hyrat shtesë të projektuara bazuar në tatimin në të ardhura. Ndërsa pjesa tjetër e mbështetjes, duke kompletuar pakon prej 200 milionë eurove, sigurohet nga linja ekzistuese e qytetarëve. Kjo pako është emergjente”, tha ai.

Krahas kësaj, deputetët nuk miratuan shmangien e procedurave as për trajtimin e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjit për energjinë elektrike.


Nagavci – Hamzës: Oferta jonë nuk është lojë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza propozimin e kreut të LVV-së, Albin Kurtit për tre emra presidentësh e ka cilësuar si joserioz.

E pyetur nga gazetarët lidhur me këtë, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci është përgjigjur “oferta e Vetëvendosjes nuk është lojë”.

“Ne jemi serioz, të përgjegjshëm dhe gjithmonë transparent në qëndrime tona”, tha ajo./RTV21/21Media


Tahiri – Vetëvendosjes: Mos e përdorni paranë publike kundër kundërshtarëve politik në prag të zgjedhjeve

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi veprimet e pushtetit përshkak të synimit të kalimit të ligjeve në Kuvend, të cilat sipas tij po bëhen me qëllim të përdorjes së parasë publike kundër kundërshtarëve politik.

Tahiri ndër të tjera tha se kjo është e padrejtë dhe jodemokratike.

“Siç po shihet zgjedhja e presidentit s’ka rrugë të qëndrueshme. Mos e përdorni paranë publike, sistemin publik për zgjedhje kundër kundërshtarëve politik. Është e padrejtë e jodemokratike. Ky është krim institucional”, ka deklaruar Tahiri.


Hamza: Qeveria krejt veprimet po i merr për ta çuar vendin në zgjedhje

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e mbështet shmangien e procedurave për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Ai kritikoi mënyrën se si Qeveria po i sjell ligjet në Kuvend në mënyrë të përshpejtuar e për të cilat tha se janë në kundërshtim me transparencën e llogaridhënien.

Hamza tha se këto veprime Qeveria po i ndërmerr për ta çuar vendin në zgjedhje.

“Qysh se prej fillimit tregohet që të gjitha veprimet, Qeveria po i ndërmerr që vendin ta çojë në zgjedhje.  Nisur prej deklaratave, fillimisht Kuvendin, Qeverinë, buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare, pastaj presidentin. Nuk ka pasë asnjë veprim, asnjë qëllim serioz në mirëbesim në bashkëpunim që vendit me i dhënë stabilitetit institucional dhe që vendit me i dhënë stabilitet politik. Ky nuk është rishikim. Këtu s’ka rishikim për komunat, për organizatat buxhetore. Qe 26 vjet paslufte asnjëherë s’kam parë diçka të tillë. As mos pafsha se keq është”.

Hamza tha se këto ndryshime po kërkohen të bëhen pa treguar qartë se nga vijnë mjetët.

“Po thoni shtoni edhe nja 122 milionë të parasë publike, na jepni mundësinë që në mënyrë abuzive ta bëjmë keqpërdorimin e parasë publike, për ta thjeshtësuar, ta bëjmë blerjen e votës përmes parasë publike dhe këtë në një procedurë të përshpejtuar”.


Mustafa i LDK-së pas ofertës së re të Kurtit: Le t’i propozojnë tre kandidatë VV e PDK, i pres deri në mesnatë

Ka ardhur reagimi i parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas ftesës që Lëvizja Vetëvendosje i bëri kësaj partie dhe PDK-së që bashkë të dërgojnë tre emra konsensual për president.

Është deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili i është kundërpërgjigjur VV-së duke i thënë që bashkë me PDK-në  të propozojnë tre emra dhe që së bashku me votat që i kanë të zgjidhnin presidentin me lehtësi.

“Unë i ftoj LVV-në dhe PDK-në që së bashku të propozojnë 3 emra për President, kandidatë jashtë skenës aktuale politike. Së bashku do ta zgjidhnin Presidentin me lehtësi me 88 vota (LVV 66 + PDK 22). Për shkak të afateve kushtetuese, i pres deri nesër në mesnatë”, ka shkruar Mustafa.


​Kurti për ofertën ndaj PDK-së dhe LDK-së: Na i sillni tre kandidatë dhe LVV tërhiqet

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një propozim të ri, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë tre kandidatë të përbashkët për President me kushtin që ata të jenë jashtë skenës aktuale politike.

Për këtë Kryeministri dha deklarata pas ceremonisë së fillimit të punimeve për projektin “Ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash” në Prizren ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Infrastrukturës Dimal Basha.

Kryeministri Albin Kurti për këto oferta tha nëse PDK dhe LDK propozojnë tre emra unifikues jashtë politikës, atëherë shumica do të mbështesë këta kandidatë.

“Pra le të na i sjellin deri nesër mbrëmë tre emra të personaliteteve unifikuese jashtë skenës aktuale politike sepse presidenti duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit, ashtu e kërkon kushtetueshmëria jonë dhe me atë rast, menjëherë këta të dy edhe në mbledhje që patëm mbrëmë thamë se tërhiqen”, tha ai.

Ai sqaroi se dy kandidaturat aktuale të shumicës, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, do të tërhiqeshin në rast se opozita ofron emra të pranueshëm për të gjitha palët, duke theksuar se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve.

Kurti shtoi se në aspektin numerik, ekziston potencial i mjaftueshëm për të siguruar nënshkrimet e nevojshme në Kuvend të kandidatëve jashtë politikë të propozuar nga opozita.

“Edhe këtyre tre emrave ne mund t’ia sigurojmë mbi 90 nënshkrime sepse për ta aplikuar një kandidat i duhen 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit. Vetëvendosja me PDK-në edhe me LDK-në së bashku e garantojnë një gjë të tillë.”, tha ai.

Ai la të kuptohet se opozita nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për kandidatët e saj dhe se një zgjidhje konsensuale është e domosdoshme.

“Pra në kushtet kur asnjëra prej tyre nuk është në gjendje t’ia bëjë nënshkrimet asnjë kandidati të vet ne po themi bëhuni bashkë dhe na i sillni tre kandidatë dhe Vetëvendosja po tërhiqet. Po na i sillni kandidatë jashtë skenës politike që të jenë shprehje e unitetit dhe të jenë të njohur me kontribut në shoqëri. Tash ne s’po propozojmë më, tash është radha që opozita të propozojë dhe është për të ardhur keq që kurrë s’ma ka thënë asnjë emër. Po le të mos ma thonë mua, le t’ia thonë njëri-tjetrit, le t’ia thonë qytetarëve, ne ia sigurojmë nënshkrimet edhe të hënën i kemi”, tha ai.

Ndërkaq kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundimin e kohës së caktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit./kp


​Haradinaj: Propozimi i ri i Kurtit është lojë dhe tallje me qytetarët

Propozimi i fundit për çështjen e presidentit, i bërë të shtunën nga kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, është lojë dhe tallje me qytetarët, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sipas këtij të fundit, oferta që lideri i Vetëvendosjes bëri për PDK-në dhe LDK-në që këto dy parti të dalin me tri propozime unifikuese për presidentit, nga i të cilët njëri do të zgjidhej, nuk është kredibile.

“Jemi dy ditë para se të kryhet afati kushtetues. Është e kuptueshme që loja e Kurtit, strategjia e tij do të vazhdojë kështu me këto veprime”, tha Haradinaj, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. “Këtë që po e thotë sot ka mundur ta thotë ditën e parë. Kjo është një lojë dhe tallje me qytetarët dhe këto oferta nuk janë kredibile dhe askush nuk e dit nëse këto që po i thotë i zbaton apo e ka për ta mbuluar fajin e tij për dërgimin e vendit në zgjedhje”.


Propozimi i Kurtit për tre emra presidentësh, Hamza: Aspak serioze

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha sot se propozimi i fundit i LVV-së për çështjen e presidentit të Kosovës është joserioz.

“Çfarë ofertë, ajo nuk është ofertë, Ajo është ofertë aspak serioze”, tha ai para se të hyjë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ai shtoi se për PDK-në kjo çështje vazhdon të jetë temë e mbyllur.

LVV i propozoi të shtunën, PDK-së dhe LDK-së që të paraqesin tre emra unifikues për president në mënyrë që njëri prej tyre të zgjidhet në pozitën e parë institucionale në Republikë.


Kuvendi sot mblidhet për seancë të jashtëzakonshme

Nga ora 12:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme plenare.

Deputetët do të diskutojnë një rend prej pesë pikash ku do të flasin për çështje të rëndësishme, përfshirë ndarjet buxhetore, energjinë e Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Seanca e fundjavës vjen pas dy të mbajturave të premten.

Rendi i ditës:

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-045 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-046 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,

5. Mocion për Shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.10/L-019 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet nga Rregullorja e Kuvendit.

Back to top button