Dështon tentimi i 20-të për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)



Dështon konstituimi i Kuvendit

Dështon konstituimi i Kuvendit pas 20-të tentimeve me radhë.

Seanca e radhës do të mbahet të dielën në ora 11:00.

Pro votimit të Komisionit për votim të fshehtë të kryekuvendarit votuan 53 deputetë, dhe një votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë.

“53 deputetë kanë votuar për, kundër asnjë, asnjë abstenim, atëherë shihemi me 25 maj në ora 11:00”,  ka thënë Dehari.

Konstituimi i Kuvendit ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. /21Media


Nis seanca e 20-të për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 20-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. 21Media


Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

Deputetja Duda Balje ka konfirmuar informacionet që qarkullonin, se asaj i është ofruar të bëhet profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun.

“Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”, tha ajo para mediave.


Bajqinovci i VV-së: Opozita duhet të reflektojë sa më shpejt, që të mos të kemi dëme

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci për RTV21 ka kërkuar nga opozita të reflektohet sa më parë për bllokadën në Kuvend.

Ai ka përmendur edhe dëmet që mund të vinë nga mos konstituimi i Kuvendit.

“Unë mendoj që opozita duhet të reflektojë sa më shpejt që mos të kemi dëme pa marrë parasysh a në euro apo në qfarë do tjetër nga BE”, tha ai. /21Media


Haradinaj: AAK ka votë edhe për Konjufcen

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar para seancës, ku do të tentohet për herën e 20-të të konsititohet Kuvendi.

Ai ka deklaruar se janë të gatshëm të votojnë për kryeparlamentar nëse propozohet emër tjetër, që ai e quan unifikues.

“Edhe pse nuk është përgjegjësi e jona, prapë e kemi dhënë një opsion për të dalë nga kjo gjendje. Do të japim votën për kandidat të VV-së që është unifikues, kemi ëprmend Bogujevcin dhe Selimin, por do të mujshim me votu edhe zotin Konjufca, ish kryetarin”, tha Haradinaj para mediave.

 


Lushaku: LDK preferon Abdixhikun për kryeministër

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se kandidati i LDK-së për kryeministër në rast të një qeverie kalimtare do të jetë, Lumir Abdixhiku.

Sipas saj kjo ka të bëjë përshkak të programit të qartë, ku shton se LDK synon që në qfarë do qeverie të realizojë projektet në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

“Ne e preferojmë Lumir Abdixhikun përshkak se kemi garuar edhe me program të qartë dhe ne synojmë që në qfarë do qeverie ti realizojmë projektet tona të cilat janë në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Lushaku. /21Media


Hasani: Nuk mund ta votojë Limajn sepse e ka sha shumë Albinin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani, ka deklaruar se nuk do të votojë Fatmir Limajn.

Arsyeja e mos votimit të Limajt, sipas tij ka të bëjë me sharjen e të parit të Nismës ndaj Albin Kurtin.

“Më ka shahë shumë Albinin edhe nuk mund ta votojë Fatmirin më vjen keq”, la thënë Hasani para mediave. /21Media


Sot tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e njëzet me radhë që prej 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive.

Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00 dhe nuk pritet ndonje ndryshim nga ditët e mëparshme.

Në vazhdimin e seancës ditën e mërkurë nuk pati kuorum për vendimmarrjen mbi komisionin për votimin e fshehtë.

Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Propozimi – për disa herë me radhë – i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë propozuar edhe që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë.

Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.

Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Të enjten, më 22 maj, Kallas u bëri thirrje politikanëve që janë në Kuvend që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar situatën.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Kallas kujtoi se formimi i institucioneve të reja është “thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”. /kp

Back to top button