​Dështon themelimi i Komisionit Hetimor për rastin “Dehari”, përplasje mes Haxhiut e Tahirit

(Lajm i përditësuar)


Dështon themelimi i Komisionit Hetimor për rastin “Dehari”, përplasje mes Haxhiut e Tahirit

Në mungesë të kuorumit ka dështuar themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu tha se si deputetë parashtrues të kërkesës për themelimin e këtij komisioni, konsiderojnë se “siç nuk ka qenë rastësi sulmi ndaj këtij institucioni, po ashtu nuk janë rastësi ngjarjet dhe zhvillimet rreth e mbi këtë institut edhe gjatë kësaj kohe dhe mandatit qeverisës”.

Ajo potencoi se tanimë dyshimet janë më të mëdha se pushteti aktual për qëllime të caktuara e ka kthyer IML-në në cak të sulmeve dhe në instrument politik.

Deliu shtoi se Komisioni Hetimor Parlamentar duhet të hetojë edhe përgjegjësinë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë se si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë institut të mbetet kaq i ulët.

“Të gjithë jemi dëshmitar që për të dytën herë brenda këtij viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) u dëmtua nga zjarret e dyshimta, pas zhdukjes së këtyre mostrave ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi insistuar që të ketë hetim mbi ketë çështje pa paragjykuar shkaqet dhe motivet e këtyre fatkeqësive…Si deputetë parashtrues të kësaj kërkese konsiderojmë që ashtu siç nuk ka qenë rastësi sulmi ndaj këtij institucioni, po ashtu nuk janë rastësi ngjarjet dhe zhvillimet rreth e mbi këtë institut dhe gjatë kësaj kohe dhe mandati qeverisës. Prandaj, mungesa e mbrojtjes së IML-së nuk mund të quhet më as përgjegjësi e as rastësi. Tashmë dyshimet janë më të mëdha se për qëllime të caktuara të pushteti aktual ky institut tashmë është kthyer në cak të sulmeve dhe në instrument politike të këtij pushteti…Komisioni Hetimor Parlamentar duhet të hetojë edhe përgjegjësinë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë se si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë institut të mbetet kaq i ulët”, tha Deliu.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, përplasje pati ndërmjet deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa tha deputeti opozitar tha se është e papranueshme që sot nga pushteti të flitet për keqpërdorime e abuzime e asnjë fjalë për Astrit Deharin, për çka shtoi se vetë ministrja e Drejtësisë para disa muajve ka inkurajuar inicimin e këtij komisioni.

Tahiri potencoi se është i vetmi njeri që ka marrë iniciativën që rasti i Dehrit të shkojë edhe në institutin zviceran, ngase sipas tij kanë qenë të interesuar për zbardhjen drejt së vërtetës për humbjen e jetës së Astrit Deharit.

Ai shtoi se propozimi i tij i parë si ministër i Drejtësisë ka qenë ndarja e buxhetit që ky rast të shkojë konform kërkesës së prindërve të të ndjerit, Astrit Dehari.

“Para disa muajve edhe vet ministrja e Drejtësisë, edhe vet ju na keni inkurajuar që ta iniciojmë sepse do ta votoni, dhe tash mos me fol asnjë fjalë për Astrit Deharin, por me dalë dhe me bisedu për tendera, keqpërdorime, abuzime dhe me i ik thelbit që janë kryesisht humbja e mostrave apo zhdukja të Astrit Deharit është e papranueshme. Nëse dikush e ka një lloj epërsie morale, të flas për këtë punë jam unë, sepse jam i vetmi njeri që përpos punës që kanë bërë institucionet e Kosovës është marrë iniciativë të plotësohet me dëshirën e prindërve të të ndjerit dhe rasti të shkoj në institutin zviceran ashtu siç e kanë kërkuar ata, sepse kemi qenë shumë të interesuar të bëjmë një veprim që e dërgon drejt zbardhjes së të vërtetës së humbjes së jetës të Astrit Deharit. Prej asaj kohe, kur janë dërguar mostrat ka qenë propozimi im i parë si ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka qenë ndarja e buxhetit që ky rast të shkoj të trajtohet konform kërkesës së prindërve të të ndjerit. Sot është e rëndësishme që ky komision të votohet dhe të shohim rrjedhjen e humbjes së mostrave të Astrit Deharit dhe të shohim zjarrëvënia se si ka ardhur, a ka qenë e qëllimshme apo e paqëllimshme”, tha Tahiri.

Lidhur me këto, ministrja Haxhiu tha se gjatë kohës kur Tahiri ishte ministër i Drejtësisë, është lejuar keqpërdorimin e rreth 1 milionë eurove të pagesave të mjekësisë ligjore dhe se afro 700 autopsi nuk janë mbyllur asnjëherë. Ajo theksoi se sipas informatave që ka, Tahiri nuk ka ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm për të fuqizuar apo adresuar shkeljet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“E pata mbështetur dhe inkurajuar themelimin e një komisioni hetimor sidomos në rrethanat kur nuk ka veprim të duhur, serioz dhe profesional të prokurorisë, qoftë themelore, qoftë asaj speciale…Po më kujtohet po ashtu që e kam adresuar çështjen që ky komision hetimor duhet të zgjerohet edhe me të gjitha skandalet qe kanë ndodhur në IML ndër vite. E kanë përmendur edhe vaktin qysh vrasjet janë shndërruar në vetë vrasje apo e kundërta e saj. E kam përmendur çështjen e pagesave të paligjshme të ekspertëve të mjekësisë ligjore siç e përmendi zoti Rrustemi diku rreth 1 milionë euro edhe në kohën kur ju zoti Tahiri keni qenë ministër i Drejtësisë, keni lejuar që të keqpërdoren 1 milionë euro të pagesave të mjekësisë ligjore…Po ashtu mbi 500, rreth 700 raporte të autopsisë që nuk janë mbyllur asnjëherë. Për të dyja ka raporte të auditorit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë që i ka evidentuar dhe ka kërkuar që të merren masa. Nëse ti më tregon si të paktën një veprim që e ke ndërmarrë si ministri drejtësisë për të fuqizuar, adresuar shkeljet në IML vetëm një, unë ta jap dorën. Sipas informatave që unë i kam në kohën sa ke qenë ministër i Drejtësisë, asnjë përpjekje minimale nuk e ke bërë për të vendosur rregull dhe rend në IML dhe më besoni gjendja në IML ka qenë e mjerueshme”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, sa i përket adresimit të kërkesës për mbulimin e shpenzimeve në raport me ekspertizën nga instituti zviceran nga Tahiri, sipas Haxhiut një veprim i tillë nuk është për mburrje, ngase është përgjegjësi ndaj shërbimit të qytetarëve.


​S’ka kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as sot të votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Janë tetë marrëveshje të cilat as në këtë seancë nuk kanë arritur të ratifikohen, për çka nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm në seancë.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se të pranishëm në seancë plenare janë vetëm 68 deputetë.

Në rend dite ka qenë edhe marrëveshja me Danimarkën për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se ministri danez do të jetë në Kosovë për vizitë zyrtare me 12 dhe 13 shkurt.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati derisa prezantoi shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, tha se qëllimi i këtij projektligji është  krijimi i një baze të re ligjore ne fushën e sigurimeve sociale të cilës i paraprinë deklaratë të qeverisë së Holandës ku shprehet vullneti për ndërprerjen e marrëveshjes ekzistuese të nënshkruar me ish Jugosllavinë. Ai shtoi se  marrëveshja e re synon të rregullojë marrëdhëniet reciproke në fushën e sigurimeve sociale në formë bilaterale që sjell edhe njohjen e ndërsjelltë  të kontributeve të sigurimeve sociale për përfitimin e pensioneve.


Marrëveshjet ndërkombëtare shkaktojnë debat mes pozitës e opozitës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan ndryshimin e rendit të ditës me 61 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim, ku si pikë të 12 futën çështjen e “shqyrtimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së, Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.

Deputetja e LVV-së Jeta Statovci ishte e para që e bëri propozimin për futjen në rend dite të kësaj pike.

Ajo u shpreh se miratimin e Projektligji synohet se marrëveshja ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program të hyjë në fuqi.

“Ky program ka për qëllim të rris qasjen digjitale të qytetarëve, të bizneseve dhe institucioneve përmes garantëve strategjike që avancojnë katër fusha kryesore, resurset kompjuterike, inteligjencën artificiale, shkathtësitë e avancuara digjitale dhe përshpejtimin dhe shfrytëzimin më të mirë të kapacitetet digjitale”, tha Statovci.

E sa i përket këtij propozimi, kundërshtime pati nga ana e partive opozitare në Kuvend, PDK dhe LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se ky propozim është i palogjikshëm pasi që në rend dite janë 50 pika të rendit të ditës, dhe se LDK do të votojë kundër kësaj pike.

“Propozimi i rendit të ditës është i pa logjikshëm sepse i kemi në rendë dite hiç më pak se 50 pika të rendit të ditës, e dyta është i pa arsyeshëm sepse deputete nuk e kanë parë materialin dhe nuk kanë pasur kohë ta shqyrtojnë e treta është e pa nevojshme sepse do të jetë joefektive, ju e dini se Kosova është nën sanksione nga BE kotë e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje kur kjo nuk do të zbatohet, prandaj kjo për ne është e pa logjikshme, e pa nevojshme që kjo të hyje në procedura të përshpejtueseje dhe ne do të votojmë kundër”, tha Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se miratimi i kësaj marrëveshje është i kotë kur sot Kosova është ende nën sanksione nga BE-ja.

“Projekti Evropa digjitale periudhën 2021/2027 është një projekt shumë i rëndësishëm dhe do të ishim shumë me fat si Kosovë do të mund të marrim pjesë ne këtë projekt, miratimi i kësaj marrëveshje është më se e kotëm, sepse Kosova ka sanksione dhe pikërisht është e përjashtuar edhe nga ky projekt andaj nuk e di pse duhet me dal në votim sot kjo marrëveshje, ku Kosova nuk mund të jetë pjesë e saj. Është mirë të fokusoheni që këto masa të vendosura nga BE-ja të largohen sa më parë”, tha Tahiri.

E ndaj kësaj reagoi shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ajo tha se argumenti që janë 50 pika në rend të ditës nuk është i logjikshëm.

“Në argumentimin se janë 50 pika, një numër i konsiderueshëm i të cilave janë pika apo shqyrtime në lexim të dytë ose shqyrtime në lexim të parë që sipas gjasave shumë vështirë do të arrimë ti përfundojmë 8 marrëveshjet ndërkombëtare janë në pjesën e parë të ditës, andaj e konsiderojmë edhe praktike dhe natyrisht edhe tepër të rëndësishme përfshirjen e kësaj pike bashkë me 8 marrëveshje tjera. Secili deputet që ka postë zyrtare elektronike e ka materialin për këtë marrëveshje”, tha ajo.

Ajo shtoi se argumenti se nuk e votojmë për shkak se Kosova është nën masa nga BE-ja, nuk qëndron. Pas kësaj pati sërish reagime nga ana e opozitës.

Abelard Tahiri nga PDK tha se në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Evropian e ka revokuar ftesën për këtë që po flasim.

“Ajo që po e thotë Kusari-Lila nuk ka logjikë sepse në qoftë së se kishë qenë projektet që kanë qenë implementim e sipër nuk do të pezullohen masat atëherë i bien që vetëm ato të tashmë do të pezullohen, ne pikërisht 300 milion euro të viti të kaluar kanë qenë projektet e miratuara të cilat nuk kemi mundur të implementimit dhe nuk kemi mundur me i thith ato fonde, prandaj ajo që e tha Kusari-Lila është e pavërtetë”, tha Tahiri.

Kundër replikë pati sërish nga deputetja Mimoza Kusari-Lila.

“Këto masa që po i referoheni e të cilat po duket se po duan t’i mbështesin edhe deputetët e Kuvendit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, janë thënë se ato nuk do të jenë subjekt i këtyre masave, e kjo ka të bëjë edhe me marrëveshjen në fjalë. Andaj me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare qytetarët po sanksionohen jo vetëm nga BE-ja por edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Arben Gashi i LDK-së me replikë ai u shpreh se gjuha që po përdorë shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila është pafytyrësi.

“Kjo gjuhë që po e përdor zonja Kusari është pafytyrësi. Të thuash që deputetët e Kuvendit po i mbështesin sanksionet ndaj Kosovës është poshtërsi. Që 227 ditë janë bërë që Kosova është në sanksione dhe nuk del kryeministri, shefi i Mimozës me tregu çfarë po bëhet, dhe del flet pa lidhje këtu. Është poshtërsi e zonjës Kusari-Lila në emër të LVV-së”, tha Gashi.

Sërish kishte replikë nga Mimoza Kusari-Lila pas kësaj deklarate të deputetit Gashi, e cila tha se ajo vetëm ishte duke argumentuar atë ishte faktike.

“Nuk e di çfarë gjuhe përdora dhe sinqerisht në asnjë mënyrë apo formë nuk dua t’i jap rast askujt këtu e aq më pak me ofru mundësi e me dështua mbështetja për marrëveshjet ndërkombëtare. Po argumentoj me atë që është faktike. Nuk përdora as fjale poshtërsi dhe as fjalë të cilat munden me u marrë si shkas për të thënë se mënyrën se si po i trajton deputetët tjerë. Unë mënyrën më demokratike dhe të civilizume po kërkoj mbështetje për marrëveshjet me të cilat përfiton një prej sektorëve më të rëndësishëm aktualisht dhe ai është sektori i Teknologjisë Informative”, tha ajo.


Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë propozim-rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, ku kërkohej anulimi i vendimit për shtrenjtimin e rrymës.

Pro kësaj rezolute kanë votuar 29 deputet të opozitës, kanë abstenuar 55 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe asnjë deputet nuk ka qenë kundër.

“29 vota janë për, asnjë kundër, 55 abstenime. Konstatoj se Kuvendi nuk e miraton rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Kjo rezolutë është propozuar në Kuvend muajin e kaluar, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Deputetët e partisë në pushtet kanë zgjedhur të abstenojnë për këtë rezolutë, e cila është propozuar në muajin e kaluar nga PDK-ja./21Media

Back to top button