Detaje për ditën e parë të vizitës së Gërvallës në Izrael
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në ditën e parë të vizitës në Izrael ka zhvilluar një sërë takimesh, ndërsa nesër do të takohet edhe me homologun e saj Yair Lapid, si dhe do të vizitojë Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit Yad Vashem.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se ministrja Gërvalla sot pati një takim me kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike të Izraelit, Uriel Lynn, anëtarin e kryesisë Roy Roznek si dhe përfaqësues të tjerë të Odës.
Gjatë takimit u bisedua rreth mundësive që ofron Kosova për investime të huaja, mundësive të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe veprimeve të planifikuara nga Qeveria e Kosovës për të nxitur bashkëpunimin mes ndërmarrësve kosovarë dhe izraelitë.
Më pas delegacioni i Kosovës vizitoi Universitetin Bar Ilan në Tel Aviv, ku me përfaqësues të universitetit, profesorë dhe studentë u bisedua rreth mundësive për vendosjen e një bashkëpunimi intensiv mes universiteteve të ndryshme të Kosovës dhe Universitetit Bar Ilan në ngritjen e cilësisë së plan-programeve mësimore, ofrimin e bursave për studentë, organizimin e vizitave studimore për studentë dhe personel akademik dhe pjesëmarrjen e studentëve izraelit në aktivitete të ndryshme në Kosovë.
Në kuadër të fakultetit të muzikologjisë, ministrja Gërvalla bisedoi me grupin e studentëve me nevoja të veçanta të këtij universiteti, rreth ofertës së universitetit dhënë këtyre studentëve dhe sfidave të tyre.
Biseda dhe takime u zhvilluan edhe me fakultetet e inxhinierisë si dhe institutin e nanoteknologjisë. Si nga universiteti izraelit, ashtu edhe nga delegacioni i Kosovës u theksuan mundësitë për një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat.
Në takimin me organizatën joqeveritare “Birthright Taglit” në Modiin, ministrja Gërvalla u takua me themeluesin dhe drejtuesin e kësaj organizate, Gidi Mark, me të cilin u shkëmbyen përvojat e ndryshme të diasporës hebreje dhe asaj shqiptare si dhe mundësitë e bashkëpunimit rreth temave të diasporës dhe mërgatës.
Dita e parë e vizitës në Izrael u përmbyll në Jerusalem me një darkë pune, në të cilën ishin ftuar gra prominente izraelite si Dana Weiss, gazetare dhe analiste e njohur politike në Chanel 12, Avital Leibovich, drejtuese e Komitetit Amerikano-Hebraik në Jerusalem etj.
Delegacioni i Kosovës nesër do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Yair Lapid, kryetarin e qytetit të Jerusalemit, kryetarin e grupit të miqësisë Izrael-Kosovë në Parlamentin izraelit, kryetarin e komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe mbrojtje të parlamentit, ministrin e Jerusalemit dhe trashëgimisë dhe përfaqësues të tjerë të jetës politike në Izrael./21Media