DhTIK: Asnjë kompani nuk ka pranuar faturat e fundit të energjisë elektrike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dorëzoi sot në Qeverinë e Kosovës kërkesën për shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut energjetik.
Në konferencën e jashtëzakonshme për media, para objektit të qeverisë, drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë theksuan se vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të afektojë tek qytetarët me rritje të çmimeve, largim të punëtorëve nga puna edhe rënie të hyrave buxhetore për shtetin e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i DhTIK, Kushtrim Ahmeti tha se i gjithë procesi i liberalizimit të energjisë elektrike në Kosovë është përcjellë dhe vazhdon të përcjellët me një numër të madh të shkeljeve, pasi që sipas tij, asnjë biznes deri më sot nuk e ka marrë asnjë faturë për shpenzimet në periudhën qershor e korrik.
Madje, Ahmeti paralajmërimet e KEK-ut që do të ndërpres energjinë elektrike me 30 të këtij muaji, i ka quajtur kërcënime drejtpërdrejt ndaj bizneseve.
“Kemi edhe paralajmërime por edhe kërcënimet nga vet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sa i përket furnizimit me energji elektrike, e cila tashmë po u dërgon të gjitha bizneseve njoftimet kërcënuese që do të ju ndërpres energjinë elektrike me 30 të këtij muaji. Në anën tjetër, siç të gjithë edhe e kemi thënë si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, vazhdojnë asnjë biznes deri më sot nuk e ka marrë asnjë faturë sa u përket shpenzimeve që i ka bërë në periudhën qershor edhe korrik. Ky është një fakt i radhës që dëshmon se i gjithë procesi i liberalizimit të energjisë elektrike në Kosovë është përcjellë de vazhdon të përcjellët me një numër të madh të shkeljeve. Prandaj, sërish sot do ta dorëzojmë një kërkesë në Qeverinë e Kosovës, në ZRrE dhe në KEK që ky proces të shtyhet dhe gjithashtu të nis edhe nga fillimi një shqyrtim i tërësishëm i gjithë procesit të liberalizimit të energjisë, sepse përveç ne që e kemi thënë nga fillimi që ky proces nuk duhet të vazhdojë ky proces nuk duhet të vazhdojë në këtë formë siç është, është vërtetuar edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka rekomanduar Kosovën që procesi i liberalizimit të energjisë elektrike të shkojë hap pas hapi dhe ata kanë konstatuar një numër shkeljesh të bëra”, tha ai.
Numri i bizneseve të cilat nuk kanë nënshkruar marrëveshje me operatorë privat, për çka shtoi se edhe shumë prej tyre e kanë fituar rastin në Gjykatën Komerciale.
“Situata tek bizneset është jashtëzakonisht e vështirë, shumë prej tyre tashmë po i mbyllin edhe repartet e tyre, një pjesë e tyre tashmë i kanë ndërprerë edhe planet e tyre për investime, disa kanë ndërprerë edhe kontratat me partnerët e tyre jashtë, të tjerët janë duke i zgjeruar investimet e tyre nëpër vendet e tjera të rajonit, për shkak të ofertave jashtëzakonisht më të favorshme se sa që Kosova deri tash po ju ofron. Edhe këtë herë po ju bëjë thirrje institucioneve tona, Qeverisë së Kosovës, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe KEK-ut që të shtyjnë këtë proces. Numër i madh i bizneseve kanë fituar tashmë lëndët që i kanë dërguar, apo kërkesat që i kanë dërguar në Gjykatën Komerciale”, shtoi ai.
Derisa KEK nuk ka dorëzuar ende asnjë faturë për shpenzimet e energjisë elektrike në muajin qershor dhe korrik, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi tha se ky vendim do të afektojë qytetarët me rritje të çmimeve, largim të punëtorëve nga puna edhe rënie të hyrave për shtetin.
“Mund të jetë dyshimi që mos dërgimi i faturave është që bizneset të mos e dinë se sa do të ju vjen çmimi në muajt në vijim edhe që të nënshkruajnë kontratën deri në fund të këtij muaji, pastaj të ju faturohet. Do të thotë është një pa përgatitje e institucioneve tona, përfshirë KEK-un edhe KEDS-in, por ndoshta është edhe një shtyrje me qëllim e dërgimit të faturave. Do t’i marrin faturat për dy muaj, plus KESCO po i detyron bizneset që të deponojnë shumën për dy muaj në bazë të shpenzimeve që kanë bërë më herët. Për shembull në qoftë se një biznes ka pasur 300 mijë euro shpenzime mujore duhet me i deponuar 600 mijë euro në KEDS, pastaj paguaj faturat e rregullta 300 mijë euro. Do të thotë është një ngarkesë më e madhe që do t’i ndodhë biznesit”, u shpreh ai.
Krasniqi tha po konsultohen edhe me odat tjera për veprime, ku shtoi se do të ftohen sërish në takim për t’u konsultuar për veprimet në vijim, përfshirë edhe protestat.
Edhe kryetari i Kuvendit të Dhomës të Tregtisë së Industrisë, Hamdi Malushaj tha se ky vendim ka “pasoja fatale për ekonominë”.
“Prej biznesit tim ose duhet me u bart në kufi të Maqedonisë me marrë biznesin me qit në një terren ku mundemi të operojmë, ose të fillojmë me cisterna të naftës me agregat, sepse edhe rehatia e deritashme ka qenë e bazuar në zgjidhje të biznesit me agregata, me teknologji. Me bo me ma ndërprerë rrymën tri orë e mos me pas unë agregatin, të njëjtën ditë 1400 punëtorë mbesin pa punë. Unë falimentoj, falimenton edhe qeveria bashkë me neve, edhe shteti, ndalet ekonomia. Pasojat janë të paparashikueshme”, përfundoi ai.
ZRRE dje ka njoftuar bizneset lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF).
Sipas ZRRE-së të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025, transmeton KosovaPress.
Po ashtu edhe KEK ditë më parë ka njofuar se 30 korriku është data e fundit që do të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Në anën tjetër, më 12 qershor 2025 Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e saj ka caktuar subjektin juridik KEK – si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë gjashtë (6) mujore, nga 31.07.2025 deri më 30.01.2026./kp