Dhuna në shkollën “Pavarësia”, psikologu tregon prapaskenën

“Nxënësi ka qenë i pamenaxhueshëm, por nuk justifikohet veprimi i mësimdhënësit”, kështu vlerëson psikologu i Shkollës “Pavarësia”, Nazmi Mahmuti për rastin e dhunës fizike në këtë shkollë të Prishtinës.
Psikologu i shkollë sfillore “Pavarësia”, Nazmi Mahmuti, ka shpjeguar për KosovaPress se si ndodhi rasti i dhunës mes mësimdhënësit dhe nxënësit, i raportuar nga mediat sot gjatë ditës.
Sipas tij, nxitësi kryesor i dhunës ishte nxënësi në fjalë, i cili në mënyrë të organizuar me shokët e shkollës “sulmuan” profesorin në sallën e arsimtarëve, ku nxënësve nuk i lejohet hyrja.
Profesori në fjalë, i cili në momentin e marrjes së kësaj deklarate është arrestuar, “mbrojti veten në mënyra të caktuara”.
“Deri sa ishte duke punuar , nxënësi në fjalë me inicialet A.O e ka fyer me gjuhë të papërshtatshme. Mësimdhënësi provoi ta largoi dhe ta neutralizojë situatën. Pas kësaj, ai kishte hyrë në sallën e arsimtarëve të pinte kafen e pauzës, nxënësi i cili u largua në atë moment kishte thirr edhe 9 nxënës tjerë, vet i 10-ti hyri në sallën e arsimtarëve dhe sulmoi personin në fjalë. Të gjithë ata sulmuan arsimtarin, ai mundohet të mbrohet në mënyra të caktuara. Videoja e publikuar është fundi i skenarit, ku nxënësit në skaj incizuan rastin”, thekson Muahmuti.
Psikologu Mahmuti ceku se ky rast ishte “maja e ajsbergut”, pasi që nxënësi në fjalë ishte një person i njohur si i “pamenaxhueshëm për këtë shkollë”. Megjithatë stafi dhe prindërit nuk kishte arritur të çonte në ndikim pozitiv sjelljet e djalit.
“Është një nxënës që ka qenë i pamenaxhueshëm. Kemi pasur kontakte intenzive me prindër që të stabilizohet nxënësi me shkollë. Mirëpo, as fokusi i psikologut nuk ka mundur të ndikojë pozitivisht në situatën. Kjo ka qenë ‘maja e ajsbergut”, thekson ai.
Mahmuti pretendon se çështja paraqet problem, për shkak se kishte ndodhur në një vend ku nuk ka kamera.
“Ata iu kanë shmangur vendeve ku kanë kamera, janë futur në sallën e arsimtarëve”
“Kemi të bëjmë me një rast ligjërisht diskutabil, vet natyra e problemit është se ata iu kanë shmangur vendeve ku kanë kamera, janë futur në sallën e arsimtarëve, ka qenë një planifikim i caktuar. Së pari duhet organet e rendit duhet të shqyrtojnë rastin, pastaj shkolla do të shikoj se si do të reagojë me rastin”, tha ai.
Reagimi i profesorit nuk justifikohet, tha psikologu, por sipas tij, kjo lihet në dorë organeve të rendit.
“Nuk justifikohet, por, do të shohim se si do ta trajtojnë organet e rendit rastin si rast”, tha ai.
Ndërsa, Nexhmi Hoxha nga Këshilli i Prindërve në kohën e raportimit nuk ka pasur mundësi të jap një deklaratë, për arsye se rasti akoma po shqyrtohet nga ai dhe organet ligjore, ka përmendur se nxënësi kishte pasur raste të tjera në polici, jo shumë kohë larg incidentit.
Një rast i dhunës fizike ndodhi në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë. Në videon e publikuar në media shihet një mësimdhënës i kësaj shkolle, teksa e godet një nxënës. Më pas nxënësi në një çast reagon dhe ia kthen goditjen mësimdhënësit.
Drejtori i kësaj shkolle, Halil Brahaj e konfirmoi këtë rast dhune.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se është lëshuar urdhër për ndalimin 48 orë të arsimtarit që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësit.