Dhurata Hoxha: Nuk ndjej përgjegjësi për dështimin për liberalizim

Hoxha ka treguar se  Franca dhe Holanda ishin shtetet që ishin kundër liberalizmit të vizave

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha,  ka thënë që nuk ndien përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave për Kosovën pasi, sipas saj, fajtori për këtë dështim është vet Bashkimi Europian që, siç shprehet ajo, nuk është duke e mbajtur fjalën pavarësisht plotësimit të 95 kritereve të kërkuara nga pala kosovare.

Tutje ajo e ka konsideruar se është për keqardhje fakti që tani BE-ja i ka lënë në ‘mjegull’ institucionet e Kosovës për hapat e mëtutjeshëm rreth kësaj çështjeje.

Ministrja Hoxha, gjatë një interviste për  kallxo.com ka treguar edhe për shtetet të cilat kanë qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, duke shtuar se hezitimi i këtyre vendeve ka pasur të bëjë me çështjet e brendshme të tyre dhe jo me Kosovën.

“Shtetet që nuk janë bindur, jo pse ato janë kundër Kosovës por janë kundër çështjeve që i kanë në agjendat e tyre të brendshme pra politikave dhe situatës së tyre të brendshme, janë Franca dhe Holanda. Ato janë kundër. Ndërsa Gjermania, edhe kjo për shkak të situatës që e kanë të brendshme pra kishim zgjedhjet e brendshme në CDU, ku pati një tranzision nga Merkeli që ishte kryesuese apo lidere e asaj partie, pra të gjitha këto në një mënyrë apo tjetrën kanë ndikuar që tema apo çështja e liberalizimit të mos futet në agjendë. Pra këto janë dy shtete që janë kundër, por jo kundër Kosovës. Të gjitha shtetet tjera që kam vizituar dhe kam biseduar me ato të gjitha janë përkrahëse të liberalizimit të vizave.”, ka deklaruar Hoxha./kallxo

Back to top button