Dhurimi i gjakut, dhurata më e madhe që mund t’i bëjnë dikujt

Po shënohet java për dhurimin e gjakut

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut nuk ka sasi të mjaftueshme të gjakut, mirëpo arrin të furnizojë me doza të mjaftueshme të gjakut Kliniken Emergjente dhe të gjitha klinikat tjera, ku nuk ka ndodhur që të vdes ndonjë person për mungesë të gjakut.

Derisa ekipi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka vendosur tendën në sheshin e kryeqytetit për t’u mundësuar vullnetarëve të dhurojnë gjak, nga këta të fundit ka të atillë që japin gjak qe 15 vjet, madje ata thonë se dhurata më e madhe që sot mund t’i bëjmë dikujt është dhurimi i gjakut.

Menaxheri për marketing dhe informim në QKTGJ, Fadil Mahmuti, tha se nuk ka ndodhur asnjëherë të pësojë dikush pse nuk ka pasur gjak.

“Për rezerva nuk mund të flasim saktësisht, sepse prej momentit në moment ato lëvizin një rast më i madh, një fatkeqësi më e madhe në komunikacion ndodh që një person me i marrë edhe 40 doza të gjakut, kështu që nuk mund të flasim. Mirëpo, për fat të mirë nuk ka ndodhur që dikush të pësoj pse nuk ka pasur gjak, do të thotë neve edhe ditëve të tjera vazhdimisht jemi në terren me një ekip, shpesh herë edhe me dy. Kështu, i vetmi qëllim i këtyre aksioneve tona është që të grumbullojmë gjak në sasi të mjaftueshme në mënyrë që të sëmurët dhe të lënduarit tanë që shërohen anë e mbanë Kosovës të kenë një mjekim pak më të sigurt dhe bashkëkohor”, tha ai.

Ai tha se nuk ka sasi të mjaftueshme të dozave të gjakut, por që kanë arritur të mbulojnë të gjitha rastet kur është kërkuar gjak. Shpesh herë ai tha se kërkojnë edhe nga familjarët që të dhurojnë gjak për të afërmit e tyre.

Klinika Emergjente është ajo që i nevojitet më së tepërmi gjak sipas menaxherit Mahmuti, pasi që në një aksident apo lëndim gjaku është i pazëvendësueshëm.

Punën e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut e lavdëron drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani. Ai për Kp tha se të gjitha kërkesat që i kanë adresuar tek Qendra janë plotësuar.

Për më tepër, Lenjani tha se asnjëherë nuk ka ndodhur që Qendra Kombëtare e Transfuzionit të gjakut të mos i përmbush kërkesat e Klinikës Emergjente.

Drejtori Lenjani tha se Klinika Emergjente bënë kërkesa të arsyeshme, të domosdoshme, me të vetmin qëllim për të gjithë ata që jeta e tyre varet nga marrja e gjakut. Ndërsa, ai po ashtu tha se të gjitha kërkesat që i bëjnë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut janë të përballueshme.

Duke qenë se më 14 qershor ka qenë Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, QKTGJ ka organizuar javën e dhurimit të gjakut, ku të gjithë ata që dëshirojnë mund të dhurojnë gjak.

Skender Krasniqi, i cili dhurojë gjak për herë të parë, tha se e konsideron që dhurimi i gjakut është dhurata më e mirë që mund t’i bësh dikujt.

“Nuk është ndonjë arsye e madhe, mirëpo është obligim, e kam parë obligim temin. Mendoj se dhurata më e madhe që sot mund ti bëjmë dikujt është dhurimi i gjakut”, tha ai.

Ndërsa, Shkëlqim Krasniqi, tha se përderisa shpëtojnë një jetë, atëherë nuk sheh arsye se pse të mos dhurojë gjak.

Java e Dhurimit të Gjakut në Kosovë ka filluar nga 13 qershori dhe do të zgjasë deri më 18 qershor.

Back to top button