​Di Lorenzo: Jemi gati ta mbrojmë titullin kampion

Kapiteni i Napolit, Giovanni Di Lorenzo, iu përgjigj pyetjeve të tifozëve gjatë kampit stërvitor në Dimaro, teksa skuadra përgatitet për sezonin e ri me synimin për të mbrojtur Scudetton.

Ai u ndal fillimisht te krahasimi me Maradonën, pasi ashtu si legjenda argjentinase, ka fituar dy tituj me Napolin: “Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme të ngreja trofeun si kapiten. Por Diego mbetet i paarritshëm për të gjithë. Meritat shkojnë për të gjithë ekipin që bëri një punë fantastike.”

Kapiteni komentoi edhe afrimin e madh të kësaj vere, Kevin De Bruyne: “Një kampion i madh. Më bëri përshtypje përulësia me të cilën është përshtatur në ambientin e ri. Do të na ndihmojë shumë.”

Di Lorenzo foli me mirënjohje për trajnerët që ka pasur në karrierë – nga Andreazzoli te Empoli, te Gattuso, Ancelotti, Spalletti dhe tani Conte: “Secili më ka dhënë diçka. Çdo vit përpiqem të përmirësohem. Roli im ka evoluar me kalimin e kohës dhe përpiqem të përshtatem. Sa i përket të ardhmes, jam i lumtur në Napoli dhe do të doja ta mbyllja këtu karrierën time.”

Në fund, ai komentoi pritshmëritë për sezonin e ri: “Konfirmimi nuk është i lehtë. Të gjithë na quajnë favoritë tani, por titullin e fituam si ‘outsider’. Rëndësi ka puna në stërvitje dhe ndeshje. Nëse ruajmë dëshirën dhe entuziazmin, mund të arrijmë përsëri sukses.” /kp

Back to top button