Diaspora frikësohet të investojë në patundshmëri

Investimet e diasporës në Kosovë thuhet të jenë të drejtuara kryesisht në konsum dhe në patundshmëri. Por për dallim nga vitet e kaluara këtë vit ka një ulje të investimeve në këtë fushë. Mentor Rushiti, drejtor teknik i kompanisë për ndërtime thotë për RTV21 se rënia e interesimit të mërgimtarëve për të investuar në patundshmëri bëhet për shkak të frikës së tyre për ndonjë përsëritje të krizave siç ishte pandemia Covid-19 apo lufta në Ukrainë.
Telashe të njëjta me mungesë të shitje-blerjeve nga ana e mërgimtarëve, e ka edhe Burim Mehaj, pronar i një agjencie për patundshmëri. Sipas tij shkak për mos interes të mërgimtarëve është shtrenjtimi i kamatave të kredive nëpër vendet evropiane.
Ndërkohë në javët e fundit në Kosovë është shënuar një fluks i madh i mërgimtarëve, në kohën kur një numër i madh i qytetarëve kanë ikur nga Kosova. Këta të fundit në kërkim të një jetë më të mirë. Ikja e tyre ka shkaktuar një krizë të punëtorëve në subjekte të ndryshme të bizneseve. Bedri Statovci, profesor i ekonomisë njëherësh gastronom, thotë ardhja e diasporës ka ngjallur ekonominë kosovare por që sipas tij në mungesë të punëtorëve detyrohet që t’i mbajë dy orare të punës në mënyrë që ta përballojë fluksin e madh të mërgimtarëve
Ndërkohë njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se mungesa e stabilitetit politik po e demotivon diasporën për të investuar në projekte të mëdha ekonomike. Gërxhaliu tha se telashet më të mëdha do të paraqiten vitin e ardhshëm, me liberalizimin e vizave, kur pritet largimi i një numri të të rinjve nga Kosova.
Banka Qendrore e Kosovës në statistikat e saj ka thënë se remitencat e dërguara nga bashkatdhetarët në pesë muajt e parë të vitit 2023, kanë shënuar vlerën mbi gjysmë miliard euro./21Media
NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA