Dibrani: Për dy vjet janë mbi 50 raste të parandalimit të kontrabandës në burgje

Mbi 50 raste të kontrabandës janë parandaluar në dy vitet e fundit brenda burgjeve të Kosovës. Për këtë periudhë, gjashtë zyrtarë korrektues të përfshirë në këto raste janë larguar nga puna. Raste të shumta të kontrabandës janë evidentuar edhe pas futjes brenda qendrave korrektuese. Përveç nga gardianët, droga e telefonat po mundësohen edhe nga vet familjarët e të dënuarve.
Gjatë ditës së djeshme pranë burgut të Dubravës janë konfiskuar 500 gram drogë. Ismail Dibrani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, deklaron se për këtë rast kanë filluar hetimet.
“Zyrtarët korrektues gjatë patrullimit të perimetrit të jashtëm, diku larg shumë pavijonit gjysmë të hapur, atje në ara, kanë hasur në kontrabandë, e cila ka qenë në kërkim e sipër që disa kohë. Është hasur aty dhe është njoftuar policia dhe prokuroria, të cilat kanë konfiskuar dhe kanë hapur dhe janë duke u marrë me hetime”, deklaron ai.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, shton se janë mbi 50 raste në dy vjetët e fundit të parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve.
“Fatkeqësisht kemi raste kur familjarë të të dënuarve, po ashtu edhe përmes rasteve të tjera të furnizimit me ushqime, me artikujë të tjerë ndërtimorë që kemi parandaluar kontrabandën. Numri është i madh, vetëm gjatë këtyre dy vjetëve kemi mbi 50 raste kur ne kemi parandaluar futjen e kontrabandës brenda institucioneve, që është një numër i madh. Familjarët tentojnë edhe përmes trupit, edhe përmes organeve të veta që të fusin kontrabandën brenda institucioneve korrektuese. Po ashtu, kemi raste edhe kur vet të dënuarit pas kthimit nga vikendi, përmes trupit tentojnë që të fusin kontrabandën brenda”, thekson Dibrani.
Përveç nga familjarët, në rastet e kontrabandës janë të përfshirë edhe zyrtarët korrektues. Gjashtë prej tyre tashmë janë larguar nga puna.
“Ne kemi edhe dhjetëra raste të kontrabandës të cilat i hasim brenda institucioneve korrektuese. Edhe që edhe në këto raste personat përgjegjës i mbajmë përgjegjës. Kemi raste edhe kur edhe zyrtarët korrektues, por që fatmirësisht në numër të vogël janë përfshirë në këto raste. E që sot nuk janë më në punë. Disa janë në mbajtje, disa janë duke u zhvilluar dhe ballafaquar me procedura të ndjekjes penale. Vetëm për këto dy vjet i kemi pesë zyrtarë korrektues. Edhe dje kemi pasur një zyrtarë korrektues, i cili është i dyshuar dhe tani më është pezulluar dhe është duke u ballafaquar me procedurat disiplinore dhe penale”, shton ai.
Më tej, Dibrani shton se së fundmi janë tri raste ku po tentohet të futet kontrabanda brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë.
“Kemi pasur disa raste të tentimit të futjes së kontrabandës brenda institucioneve korrektuese, në këtë rast po flasim për Qendrën Korrektuese në Dubravë. Por fatmirësisht falë angazhimit dhe bashkëpunimit me organet e rendit dhe informacioneve që kishim në vazhdimësi nga zyrtarët e inteligjencës dhe zyrtarët e Departamentit për Siguri, kemi arritur që tri raste radhazi të parandalojmë futjen e kontrabandës brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë. Para disa ditëve kemi parë vetëm publikimin përmes një sasie të madhe të drogave dhe telefonave, të cilët kanë tentuar përmes kompanisë, e cila neve na furnizon me artikuj ushqimor, për çka e kemi njoftuar Prokurorinë e Shtetit dhe është duke u marrë me rastin”, ka thënë ai.
Dibrani shton se në raste të tilla kanë qenë të përfshirë edhe shoferi apo bashkëpunëtorë të tjerë të kompanisë, të cilët janë në mbajtje të dënimit.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, deklaron se të burgosurit të cilët tentojnë të kryejnë vepra të tilla do të pësojnë me shtim të viteve të dënimit brenda institucioneve korrektuese.
Ismail Dibrani zotohet se për të parandaluar raste të tilla tashmë kanë siguruar pajisje intelegjente që detektojnë drogat dhe telefonat, e po ashtu se janë të vendosura kamera brenda institucioneve korrektuese./kp

Back to top button