Dimri po rikthehet!

Gjatë muajit Shkurt patëm fare pak dimër dhe kjo për shkak të gjendjes së pafavorshme sinoptike, mirëpo gjerat pritet të ndryshojnë krejt në fund të këtij muaji i cili llogaritet ndër më të nxehtit viteve të fundit nëse marrim mesataren.
Ashtu siç po ndodhë rëndom viteve të fundit me dimër të ngrohtë dhe prolongim të tij në muajt e pranverës, kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe kësaj radhe veçanërisht parashihet që muaji Mars të na sjellë reshje të herëpashershme bore.
Kjo borë e cila pritet të vijë krejt në fund të këtij muaji dhe eventualisht edhe në fillim të Marsit pritet të jetë jashtëzakonisht e dobishme ngase prolongon lulëzimin e hershëm të pemëve ose vegjetacionin e hershëm që pastaj do të mund të dëmtohej me ndonjë goditje të vonshme dimërore.
Sidoqoftë, goditja dimërore nuk pritet të jetë shumë e fuqishme, por mjaftueshëm për reshje bore në shumë pjesë të viseve tona kontinentale.
Pas dominimit të plotë të anticiklonit të Azoreve në fund të kësaj jave ky anticiklon pritet të bëjë ekpansion në drejtim të Skandinavisë, ndërsa në Itali pritet të krijohet një ciklon i cili do të na sjellë reshje shiu e bore. Ky ciklon pritet të zhvillohet dhe forcohet mbi Italinë qendore duke bërë progres në drejtim të Ballkanit. Si pasojë fillimisht priten reshje shiu të cilat shpejt mund të shndërrohen në reshje shqote e bore sidomos në viset kontinetale duke mos përjashtuar edhe shumë ultësira në Kosovë, pjesën lindore të Shqipërisë, perëndimin e Maqedonisë së Veriut dhe veriun e Malit të Zi. Temperaturat pritet të shënojnë ulje, por nuk pritet ndonjë i ftohtë i madh. Ato minimale mund të ulen afërsisht deri në -10 ose -12 gradë Celsius në viset malore, ndërsa në viset e ulëta nga -2 deri afër -6 gradë Celsius. Temperaturat maksimale nuk pritet të ulen shumë edhe në ditët më të ftohta që priten gjatë këtij përkeqësimi të motit dhe ato mund të luhaten nga 3 deri në 5 gradë Celsius. Ky ciklon pritet të arrijë të shtunën dhe pritet të zgjasë dy ose tri ditë me reshje shiu fillimisht dhe pastaj edhe me reshje bore.
Detaje të reja ditëve të ardhshme./MeteoBallkan

Back to top button