Dita Botërore e Mjedisit, Haradinaj: Cilësia e jetës sonë varet nga kujdesi ynë për mjedisin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kërkohet më shumë vetëdije e mobilizim për një mjedis të shëndoshë.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se cilësia e jetës sonë varet nga kujdesi ynë ndaj mjedisit.
“Dita Botërore e Mjedisit është një mundësi e mirë për ta ngritur vetëdijen për problemet mjedisore dhe për rëndësinë e kujdesit ndaj ambientit ku jetojmë. Ky obligim që e kemi si shoqëri, kërkon vetëdijësim e mobilizim të secilit prej nesh. Të angazhohemi të gjithë për një mjedis të shëndoshë, nga i cili varet cilësia e jetës sonë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sot Dita e Mjedisit
Sot është Dita ndërkombëtare e mjedisit, e cila u caktua në vitin 1972 nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së.
Qëllimi i kësaj dite është për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.
Kjo datë u zgjodh, sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara./21Media