​Dita Botërore e Ujit

Më 22 mars shënohet Dita Botërore e Ujit, e cila është përcaktuar me rezolutën e OKB-së në dhjetor 1992.

Fokusi kryesor i Ditës Botërore të Ujit është të mbështesë arritjen e Objektivit 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: ujë dhe kanalizime për të gjithë deri në vitin 2030.

Çdo vit, UN-Water – mekanizmi koordinues i OKB-së për ujin dhe kanalizimet – përcakton temën e Ditës Botërore të Ujit. Në vitin 2024, tema do të jetë Shfrytëzimi i ujit për paqe.

Dita e parë Botërore e Ujit është shënuar më 22 mars 1993, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për kujdesin ndaj ujit të pijshëm dhe me qëllim të apelimit te të gjithëve që të ndihmojnë me administrimin dhe menaxhimin e burimeve të ujit të pijshëm.

Për çdo vit në Ditën Botërore të Ujit theksohen aspektet specifike të ujit të pijshëm siç janë: uji për qytete, kualiteti i ujit, ujerat ndërkufitare, uji dhe kultura etj. Sipas vlerësimeve deri në vitin 2025, dy të tretat e popullsisë botërore do të jenë të goditura me kërkesë të madhe për ujë të pijshëm.

Ekspertët vlerësojnë që rreth 2.2 miliard njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm. Parashikimet e Kombeve të Bashkuara janë mjaft të errëta. Në raportin e tyre theksohet se burimet e ujit do të zvogëlohen vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të popullsisë, ndotjes dhe ndryshimeve klimatike.

Back to top button