Dita e parë e pushimit-në kufi, me mijëra vetura me orë të tëra për të hyrë në Greqi

Shërbimet kufitare maqedonase thonë se janë duke punuar me kapacitet të plotë

Kolona e gjatë e veturave, në një moment të caktuar, arriti deri te kazinoja “Princes” në anën maqedonase të kufirit prej vendkalimi kufitar “Bogorodica – Evzoni”. Udhëtarët me të cilat kontaktuam, për TV21 shpjeguan se hapësira ndërkufitare është e tëra e zënë nga veturat duke bërë që me mijëra njerëz të reagojnë me nervozizëm ndaj shërbimeve kufitare të të dyjave vendeve.

“Të shkohet sot në Greqi është rrezik sepse para kufirit grek qëndrojnë 10 kolona. Për këtë arsye nuk mund të kalohet as kufiri maqedonas sepse edhe ai është përplot me turistë maqedonas, polakë, serbë, rumunë. Në çdo dy-tre minuta vjen nga ndonjë veturë. Është vërtetë tmerr.”

Si arsye për këtë ngecje, përpos numrit të lartë të turistëve që dëshirojnë të hyjnë në Greqi, udhëtarët potencojnë edhe punën e ngadaltë të shërbimeve kufitare greke gjatë kontrollimit të dokumenteve. Nga 8-9 kolonat e formuara, veturat para kufirit grek rreshtohen në katër vendkalimet e hapura, duke u shtyrë njëri me tjetrin dhe duke u rënë borive të veturave.

“Në kufirin maqedonas pritëm një orë meqë ana greke e kufirit është e mbushur. Këtu në kufirin grek, edhe pse po qëndrojmë rreth një orë, mezi kanë kaluar pesë vetura.”

Shërbimet kufitare maqedonase thonë se janë duke punuar me kapacitet të plotë:

“Kolona është e gjatë 2-3 kilometra. Këtu jam prej orës 8. Kështu ishte prej kur erdha dhe vazhdon të jetë njësoj.”

Konsiderohet se shkak për kolonat e gjata të veturave, që në një moment arriti deri në 4 kilometra, është rregullativa e re e Bashkimit Evropian e datës 7 prill të këtij viti, me të cilën, për arsye sigurie, vendeve të Unionit u kërkohet që në mënyrë më të detajuar të kontrollohet çdo udhëtar. Pikërisht për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që pamja e sotme në vendkalimin kufitar “Bogorodica – Evzoni” të përsëritet edhe herëve tjera. Deri në orën 14, nga Maqedonia kanë dalë 11 mijë persona, prej të cilëve 7 mijë shtetas nga Maqedonia. AMSM njofton se në vendkalimet e tjera kufitare, gjendja është më e qetë.

Back to top button