Dita e tretë e zisë në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut sot është dita e tretë e zisë pas aksidentit rrugor të autobusit në të cilin dje në autostradën “Struma” në Bullgari jetën e humbën 45 udhëtarë, ndërsa shtatë janë lënduar. Në mesin e viktimave ka pasur edhe fëmijë.
Qeveria të hënën i shpalli tri ditë zie në territorin e të gjithë shtetit për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari.
Gjatë kohës së ditëve të zisë flamuri shtetëror në të gjitha institucionet, si edhe i përfaqësive diplomatike të vendit jashtë vendit, janë ulur në gjysmështizë, ndërsa janë anuluar të gjitha ngjarjet publike.
Bullgaria, vend anëtar i BE-së me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.
Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.
Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë./Tv21