​Dita Memoriale, Kurti: Enver Zymberi e Afrim Bunjaku dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin shtetëror

(Lajm i përditësuar)


​Dita Memoriale, Kurti viziton familjen e rreshterit Afrim Bunjaku

Në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me një pjesë të kabinetit qeveritar bënë homazhe pranë varrit të Heroit, Afrim Bunjaku. Ata vizituan edhe familjen e tij, si shenjë respekti për sakrificën e tij në mbrojtje të rendit dhe sigurisë në vend.

Gjatë vizitës, Kurti iu tha familjarëve se heroi Afrim Bunjaku është busullë se si duhet mbrojtur shteti.

Ndërkaq, pas vizitës së varrit të Bunjakut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti derisa kujtoi se në shtator mbushen dy vjet nga rënia e tij, theksoi se çdo polic që ia kushton jetën mbrojtjes së Kosovës dhe qytetarëve të saj meriton respekt të përhershëm.

Kurti tha se ndonëse Bunjaku mbante gradën e rreshterit në Polici, sot ai mban gradën më të lartë që Republika mund t’i japë një qytetari, atë të Heroit të Kosovës, gradë nga e cila “s’ka degradim”, sipas tij.

“Ne erdhëm tek varri i Afrim Bunjakut që të bëjmë homazhe, të takojmë familjen e tij. Te rreshteri i cili ra heroikisht në Banjskë të Zveçanit e pas dy muajve bëhen dy vjet të rënies së tij heroike… Të gjithë këta policë që ia kushtuan jetën e tyre shërbimit për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe u sakrifikuan në mbrojtje të vendit tonë të paqes e sigurisë meritojnë gjithë respektin tonë dhe duhet t’i kujtojmë e përkujtojmë vazhdimisht… Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës por sot ai e ka gradën hero i Kosovës. Grada hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Heroi i Kosovës Afrim Bunjaku sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit në nderim e kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e shtetit”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto vizita përkujtimore sjellin emocione të rënda, veçanërisht për familjet e të rënëve, por edhe për Policinë e Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ato janë edhe momente krenarie, pasi falë sakrificës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë arritur suksese që dikur dukeshin të paimagjinueshme.

Sveçla theksoi se kjo sakrificë duhet të mbrohet me çdo kusht dhe çdo çmim.

“Këto vizita na kujtojnë momente shumë të rënda, së pari për familje dhe për të gjithë ne dhe Policinë e Kosovës. Mbi të gjitha janë momente krenarie, për shkak se me sakrificën e gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ne po arrijmë suksese të cilat më herët kanë qenë të paimagjinueshme. Lirisht mund të themi që kjo sakrificë ia ka vlejtur dhe këtë sakrificë duhet ta mbrojmë me çdo kusht dhe çdo çmim”, tha Sveçla.

Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe kësaj dite përkujtimore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë organizuar homazhe shtetërore te Lapidari i Policëve të rënë në detyrë.

Sot, përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë vizituar edhe familjen e zyrtarit policor Muhamed Lika, i cili humbi jetën në krye të detyrës.

Po gjatë ditës, janë paraparë edhe homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij si dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.

Ceremonitë përkujtimore do të përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman. /kp


Organizohen sërë aktivitetesh për policët e rënë në detyrë

Sot shënohet 14-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri dhe Dita Memoriale e zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës

Në kuadër të kësaj dite, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh rekreativo-sportive në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas një njoftimi nga kjo ministri në rrjetin social Facebook thuhet se aktivitetet janë duke u zhvilluar në nderim të jetës dhe veprës së të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj sigurisë dhe paqes në vend.

Si pjesë e këtyre aktiviteteve, një grup vrapuesish nga profesione dhe komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një ecje simbolike përkujtimore.

Ndërkaq në fillim të marshimit, pjesëmarrësit ndaluan për të bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri, për të vazhduar më pas drejt cakut të planifikuar. /21Media


Kurti: Lavdi, Enver Zymberit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës të rënë në krye të detyrës

Në nderim të 14 vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, bënë homazhe te Lapidari i Policëve të Rënë, në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Kurti për policët e rënë në detyrë, ka thënë se në kuadër të kësaj dite memoriale, Kosova ka dhimbje, pikëllim dhe shumë mall, teksa shtoi se Policia e Kosovës është një forcë prej rreth 10 mijë pjesëtarëve, të cilët sipas tij i dalin zot Republikës së Kosovës me ligjin, rendin, paqen, sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim.

“24 gjithsej në Kosovën e pas luftës duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri së fundmi te Muhamed Lika në vitin 2025. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë, Enver Zymberin dhe poashtu Afrim Bunjakun të cilët ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetërorë, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqën dhe sigurinë në veri të Kosovës dhe dita memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit në vitin 2011 me 26 korrik. Me që rast sot kemi dhimbje pikëllim, kemi shumë mall por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari se Policia e Kosovës është një forcë prej rreth 10 mijë pjesëtarëve, të cilët i dalin zot Republikës sonë dhe mbajnë, mirëmbajnë ligjin, rendin, paqen, sigurinë për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë këtë deklaratë e ka bërë në kuadër të homazheve tek lapidari i policëve të rënë.

Kurti kujtoi sulmet strukturore të nëntorit të vitit 2022 ku kishim 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb, e cila sipas tij nuk ka arriturqë ta dëmtojë Policinë e Kosovës.

Në fund kryeministri në detyrë tha “lavdi, Enver Zymberit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës të rënë në krye të detyrës”.

“Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila u sulmua shpesh mirëpo gjithnjë doli fitimtare, e një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022 kur kishim 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht. Mirëpo kjo nuk arriti që ta dëmtojë Policinë e Kosovës me qenë se në vazhdimësi kemi kadetët e ri nga gjenerata në gjeneratë. Lavdi, Enver Zymberit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të Kosovës të rënë në krye të detyrës”, tha Kurti. /21Media


​Sot shënohet Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë

Nën përkujdesjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot do të mbahen një sërë aktivitetesh me rastin e Ditës memoriale e punonjësve policorë të rënë në krye të detyrës.

Më 11 gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte propozuar dhe miratuar që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës. Kjo ditë ishte shënuar për herë të parë në korrik të vitit 2022 dhe përkon me rënien heroike të Enver Zymerit 14 vjet më parë.

Agjenda e aktiviteteve:

08:00 – Vizita te familja e zyrtarit policor të rënë në kryerje të detyrës Muhamed Lika. (Familja e Lika – në Kaçanik. Pjesëmarrës drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha dhe menaxhmenti i PK-së)

09:00 – Homazhe shtetërore. (Lapidari i Policëve të rënë – Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Pjesëmarrës personalitetet e larta shtetërore)

10:00 – Homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku. (Samadrexhë, Vushtrri. Pjesëmarrës personalitetet e larta shtetërore)

10:15 – Vizitë në familjen e Heroit Afrim Bunjaku. (Samadrexhë, Vushtrri. Pjesëmarrës personalitetet e larta shtetërore)

10:45 – Homazhe te varri i Heroit Enver Zymeri. (Dubovc, Vushtrri. Pjesëmarrës personalitetet të larta shtetërore)

11:30 – Vizitë në familjen e Heroit Enver Zymeri. (Familja e Heroit Enver Zymeri– në Vushtrri. Pjesëmarrës personalitetet e larta shtetërore)

12:30 – Homazhe tek lapidari në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri. (Varage – Zubin Potok, pjesëmarrës: personalitetet e larta shtetërore)

Në shënim të 14-vjetorit të rënies së Hero Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, do të organizohen aktivitete sportive që përfshijnë ecje, çiklizëm, vozitje me motorë dhe gara me kajak. Marshutat e ekipeve përfshijnë zona/komuna nga jugu drejt veriut të Kosovës, përmes vendit të rënies së Heroit Enver Zymeri, Varage-Zubin Potok.

17:00 – Ceremonia e pritjes së marshuesve në Qendrën për trajnim për kërkim-shpëtim “Berim”, Zubin Potok- Ujman.

Back to top button