Ditë zie në Kosovë

Flamuri shtetëror në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Sami Thaqit shpalli ditën e enjte, ditë zie, në shenjë nderimi shtetëror.

Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, të shpallur për ta nderuar jetën dhe veprën e policit Sami Thaqi, flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi ndau edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaçi.

“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, tha kreu i shtetit.

Polici Thaqi vdiq të martën nga shpërthimi i një eksplozivi, që ndodhi gjatë një operacioni policor antidrogë në Zhur të Prizrenit.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës dje ndau 15 mijë euro për familjen e policit të ndjerë.

Back to top button