Ditë zie në Liban, së paku 6 persona të vrarë
Libani ka shpallur sot ditë zie pasi të paktën gjashtë persona vdiqën dhe dhjetëra u lënduan në luftimet vdekjeprurëse në Bejrut.
Të shtënat me armë shpërthyen gjatë një proteste nga grupet myslimane shiite kundër gjyqtarit që heton shpërthimin e madh të vitit të kaluar në portin e qytetit.
Hezbollahu, i cili organizoi protestën, thotë se demonstruesit u qëlluan nga njerëz të armatosur nga çatia.
Ata fajësuan një fraksion të krishterë, megjithëse grupi i mohon akuzat.
Në gusht të vitit 2020 vdiqën 219 persona dhe një pjesë e mëdhe e qytetit u shkatërrua nga shpërthimi, por askush nuk ka marrë ende përgjegjësi.
Hezbollahu dhe aleatët e tij thonë se gjykatësi hetues është i njëanshëm, por familjet e viktimave mbështesin punën e tij.
Ajo që filloi si një protestë jashtë Pallatit të Drejtësisë – ndërtesa kryesore e gjykatës – nga qindra njerëz që argumentuan se hetimi ishte politizuar dhe kërkoi largimin e gjyqtarit Tarek Bitar u përshkallëzua shpejt, transmeton rtv21.tv.
Të shtëna të forta armësh shpërthyen në rrugë ndërsa turma kalonte nëpër një rrethrrotullim në zonën qendrore Tayouneh-Badaro.
Banorët vendas u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe nxënësit e shkollës u futën nën tavolinat e tyre, ndërsa burrat e armatosur me pushkë automatike dhe granata -hedhëse raketash – që besohet të kenë qenë anëtarë të milicive shiite dhe të krishterë – shkëmbyen zjarr në rrugë.
Përplasjet vazhduan për disa orë para se të rikthehej qetësia.
Në një shkollë aty pranë, mësuesit udhëzuan fëmijët e vegjël të shtriheshin me fytyrë për tokë me duart në kokë, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve Reuters.
Burimet spitalore dhe ushtarake thanë se disa prej të vrarëve ishin qëlluar në kokë. Ato përfshinin një grua që u godit nga një plumb qorr ndërsa ishte brenda shtëpisë së saj./21Media