Ditën e inaugurimit të presidentit, “Miqtë e Amerikës” vendosin flamurin e ri te shtatorja e presidentit Clinton

Shoqata “Miqtë e Amerikës”, për nder të inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka organizuar disa aktivitete. Te shtatorja e presidentit Bill Clinton është zëvendësuar flamuri i mëparshëm me një flamur të ri, të shoqëruar me një fjongo.
Kryetari i kësaj shoqate Agim Rexhepi, tha se me këtë veprim respektohet populli aleat dhe mik amerikan.
“Shfrytëzoj rastin që t’u uroj SHBA-së për kryerjen në mënyrë perfekte të zgjedhjeve të tyre nacionale pa turbulenca. Elementi tjetër që dua ta potencoj është që ta përgëzoj partinë Republikane për fitoren e arritur, njëkohësisht ta përgëzoj presidentin Trump për fitoren edhe për inaugurimin që do ta bëjë sot. Me veprim e bërë ne respektojmë SHBA-në, respektojmë flamurin amerikan, respektojmë institucionin e presidentit të SHBA-së, si dhe popullin aleat dhe mik amerikan”, tha Rexhepi.
Ai theksoi se populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar di të respektoj aleatët, di të respektoj SHBA-në dhe të vlerësoi veprimet e bëra jo vetëm gjatë kohës se fundit, por gjatë historisë që kanë bërë për Kosovën e Shqipërinë.
Ndërsa zv komandanti i Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra tha se zjarrfikësit morën pjesë në ndërrimin e flamurit si shenjë mirënjohje për Amerikën “se çka ka bërë për popullin shqiptar, në ditën e inaugurimit të presidentit të ri”.