Kaloni te përmbajtja kryesore

Prokuroria e Pejës jep detaje për vrasjen që ndodhi në bjeshkët e Deçanit

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi një person humbi jetën nga arma e zjarrit në bjeshkët e Komunës së Deçanit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit dhe njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore.

Sipas Prokurorisë, provat e siguruara dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë krijojnë dyshimin se viktima humbi jetën si pasojë e shkrepjes së armës nga pakujdesia. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa arma e dyshuar është sekuestruar dhe ekspertë të balistikës janë angazhuar për ekzaminimet e nevojshme.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Njoftimi i Sistemit Prokurorial:

Prokuroria Themelore në Pejë ndalon një person për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Pejë, 23 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se, pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës se një person ka humbur jetën nga arma e zjarrit në bjeshkët e Komunës së Deçanit, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy (2) prokurorë të shtetit, përveç njësive relevante të Policisë së Kosovës.

Nga veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes, sigurimi i provave materiale dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, ekziston dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e pakujdesisë së të dyshuarit, përkatësisht nga shkrepja e armës së zjarrit.

I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekspertë të balistikës për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale është sekuestruar, ndërsa janë autorizuar edhe veprimet për intervistimin e dëshmitarëve okularë dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të tjera hetimore.

Prokurori i shtetit, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Djali aksidentalisht vrau babanë në Bjeshkët e Strellcit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në oborrin e një stani në Bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit.

Sipas informacioneve të siguruara nga Policia në Rajonin e Pejës, rasti ka ndodhur rreth orës 13:43, ku një person dyshohet se ka privuar nga jeta babanë e tij, e personi se dyshohet ta ketë kryer vrasjen është arrestuar.

Vrasje në Strellc të Deçanit, një person gjendet i vdekur në oborrin e një stani

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova ka konfirmuar për KosovaPress, se bëhet fjalë për një vdekje që dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

“Policia ka pranuar informacion se në Bjeshkën e Strellcit, në oborrin e një stani është një person i vrarë. Deri tani dyshohet se është vrasje aksidentale mes familjarëve. Policia deri më tani ka sekuestruar një armë zjarri dhe personi i cili dyshohet se ka kryer vrasjen është arrestuar.”, deklaroi Rugova.

Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, për KosovaPress tha se prokurori i shtetit dhe njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore.

“Po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Nikçi.

 

 

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të enjte në Strellc të Deçanit.

Sipas raportimeve,  një person ka mbetur i vrarë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke thënë se nga htimet fillesatre, bëher fjalë për një vrasje aksidentale.

“Rreth orës 13:43, Policia ka marrë informacione se në bjeshkën e Strellcit në oborrin e një stani është një person i vrarë – informatat fillestare janë se bëhet fjalë për një vrasje aksidentale. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë teksa në vendin e ngjarjes janë të gjitha ekipet relevante”, u shpreh zëdhënësi i policisë, Driton Rugova.

Teksa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se prokurori kujdestar është në vendin e ngjarjes.

“Prokurori i shtetit dhe gjitha njësitet relevante policore janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarre veprimet e nevojshme”, u shpreh Nikçi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button