Djegia e veturave në Veri, Diplomatët perëndimorë në Kosovë e cilësuan akt frikacak dhe kriminal

Tri makina me targa RKS janë djegur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në pjesën veriore të Kosovës. Policia tha se makinat i përkasin qytetarëve mee përkatësi serbe në veri të vendit.

Dy makina të tjera u dogjën një ditë më parë gjithashtu në këtë pjesë të Kosovës. Forca paqeruajtëse KFOR i tha RTV21 se është në një nivel të lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çfarëdo skenari. Zyra e Presidentes e ka akuzuar Serbinë për, siç thotë, përpjekje për destabilizim në prag të zgjedhjeve në pjesën veriore. Ndaj djegies së makinave kanë reaguar një numër diplomatësh perëndimorë.

Policia e Kosovës në njoftimin e saj tha se djegia e makinave ndodhi në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan dhe të tri makinat kishin targat e regjistrimit RKS. Ajo tha se persona të panjohur deri më tash i kanë vënë flakën makinave. Ky është rasti i dytë brenda dy ditëve i djegies së makinave në veri. Një rast tjetër ndodhi të enjten kur u dogjën dy makina të tjera.

Djegia e makinave me targat e Kosovës në veri pasoi një periudhë tensionesh n ë këtë pjesë në fund të vitit të kaluar, por incidentet e fundit erdhën vetëm pak javë përpara se të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri. Forca paqeruajtëse KFOR i tha RTV21 se policia e Kosovës është autoriteti që ofron siguri gjatë kohës së zgjedhjeve por ajo po monitoron situatën bazuar në mandatin e saj.

”Për momentin nuk ka indikatorë të rinj të problemeve të sigurisë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, por KFOR-i ruan një nivel të lartë të gatishmërisë për të përballuar çdo lloj skenari për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të ruajtur lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet e Kosovës”, tha KFOR për RTV21.

Djegia e makinave në veri nxiti një valë reagimesh. Zyra e Presidentes së Kosovës fajësoi Serbinë për, siç tha, përpjekje që të krijojë klimë frike para zgjedhjeve të 23 prillit.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës ! Mbrëmë janë djegur edhe 3 makina të tjera vetëm se kishin targa RKS.. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit”, tha Bekim Vela nga zyra e Presidentës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi ë rrjetin e tij social, se Presidenti i Serbisë duhet të heqë dorë nga destruktiviteti dhe t’i urdhërojë, siç tha, njerëzit e tij të heqin dorë nga sulmet e dhunshme. Një numër diplomatësh perëndimor në Prishtinë dënuan djegien e makinave, përfshirë edhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

““Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur në dy ditët e fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm dhe i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës.”, tha shefi  i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në një ripostim të tij në rrjetin social tëitter e ka dënuar incidentin duke e cilësuar akt kriminal. Djegie të makinave në veri të Kosovës pati edhe në fund të vitit të kaluar pas telasheve me zbatimin e marrëveshjes së targave. Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, thotë se djegia e veturave është një mesazh nga Beogradi zyrtar.

“Kjo tregon përshkallëzimin e gjendjes në kuptim të përshkallëzimit artificial të gjendjes krejt këto të urdhëruara nga presidenti Vuciq, pra duke i ngritur strukturat kriminale të ekstremistëve serb në veri me qëllim të targetohen automjetet  që janë të identifikueshme  që i kanë regjistrimet RKS. Qëllimi është të pengohen zgjedhjet në veri për arsyje se nuk kanë dashtë të aplikojnë në afatin e fundit. Kjo është qëllimi që me këto mënyra që Vuqicin cdo herë e paraqet me dy mënyra në njërën anë paraqitet si politikan i modernuar përkrah ndërkombëtarëve dhe në anën tjetër nëntokën e përdor cdo herë me qëllim ta përshkallëojë situatën”. tha Ibishi./21Media

Back to top button