Djegia e veturave në Veri, Szunyog: I mjerueshëm qëllimi i frikësimit të popullatës lokale atje

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka dënuar djegien e veturave me targa RKS në veri të vendit.

Ai ka thënë se shkatërrimi i pronës private me qëllim të frikësimit, është i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë.

“Dënojmë ashpër djegien e automjeteve të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur në dy ditët e fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm dhe i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë aktorët përkatës”, ka shkruar ambasadori i BE-së në Twitter.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së premtes janë djegur tri vetura me targa RKS – Republika e Kosovës – të cilat u përkasin banorëve të nacionalitetit serb në veri. Sipas Policisë, një veturë është djegur në Zveçan dhe dy të tjera në Mitrovicë të Veriut. Dy vetura tjera me targa RKS, në pronësi të serbëve lokalë janë djegur edhe më 30 mars./21Media

Back to top button