Koalicioni i organizatave që monitorojnë procesin zgjedhor Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, partitë politike kanë shkelur rregullat antiCOVID dhe se nuk ka munguar gjuha e urrejtjes.

Veton Mujaj nga DnV në një konferencë për media dha në pika të shkurtra një raport të monitorimit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku tha se nuk ka munguar gjuha e urrejtjes, për çka theksoi se janë shqiptuar 40 mijë euro dënime për subjektet.

“Ka qenë një atmosferë e qetë me një numër të kufizuar të aktiviteteve, me disa vizita nëpër shtëpi. Në këto aktivitete shkelja e masave antiCOVID ka qenë shumë evident. Shumë organizime e kanë ndërruar formën e tyre ndërsa premtimet dhe mesazhet e tyre kanë qenë vazhdimësi. Po ashtu nuk ka munguar gjuha e urrejtjes. Partitë politike janë vonuar të prezantojnë programet e tyre. Ndërsa pjesëmarrja e grave në aktivitete ishte nën 30 përqind, e hapësirë atyre nuk iu dha as në media”, tha ai.

DnV ka ftuar qytetarët e Kosovës që në zgjedhjet e parlamentare që do të mbahen nesër të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.