DnV: Gjithçka gati për votim të rregullt e të sigurt
Demokracia në Veprim (DnV) po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me 110 vëzhgues nëpër qendra të votimit në nivel vendi
DnV ka njoftuar se 80% e qendrave të votimit janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuar fizike, ndërsa nuk është hasur në materiale propaganduese në perimetër prej 100m nga qendrat.
Sipas vëzhgueseve, 96% të qendrave të votimit dhe vendvotimeve janë dezinfektuar para hapjes, ndërsa udhëzimet si të votohet sigurt duke respektuar masat antiCOVID në fuqi janë vendosur në 95% të qendrave të votimit në nivel vendi.
Në anën tjetër, në mëngjes është raportuar se komisionerët janë të pajisur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dezinfektues) në mbi 95% të vendvotimeve, ndërsa pajisja me dorëza është në nivelin afër 50%.
Siguria e procesit zgjedhor është duke u garantuar nga Policia e Kosovës, e cila është prezente në hyrje të pothuajse të gjitha qendrave të votimit.
Ndryshe, 1 milionë e 885 mijë e 448 qytetarë që kanë të drejtë vote, gjatë ditës së sotme do të mund të votojnë në 883 qendra të votimit, përkatësisht 2 mijë e 477 vendvotime, në komunat e tyre./21Media