Dogana e Kosovës për 20 vjet mblodhi 13 miliardë euro

Dogana e Kosovës shënon 20 vjetorin

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës, theksoi se doganierët përveç që bëjnë një punë të dobishme për shtetin në kontrollimin e mallrave dhe për të hyrat buxhetore, janë edhe pasqyra e shtetit në kufij.

Haradinaj tha se është i lumtur që Dogana e Kosovës punon me standarde të avancuara.

“Shyqyr për ju që s’jeni në zgjedhje, edhe mos u frikoni, se po ju shoh pak si të trembur. Pasi e keni ditëlindjen gëzohuni, unë vërtet i gëzohem kësaj ditëlindje të juaj. I gëzohem faktit që Dogana jonë është anëtare e organizatës botërore të doganave dhe punoni më këto standard kaq të avancuara. Po ju them edhe juve që për një mend e kam për 100 përqind Kosovë. Pra, nuk e kam veç fjalë dhe jo veç në këtë periudhë gjithnjë do të jemi bashkë me të gjithë ata që qëndrojnë 100 përqind Kosovë”, tha Haradinaj.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, theksoi se themelimi i Doganës në vitin 1999 ishte një sfidë, ndonëse ishte një ndër institucionet e para të themeluara pas luftës që zhvillonte veprimtarinë e saj fillimisht në pikën kufitare në Han të Elezit dhe pastaj në të gjitha pikat kufitare të Kosovës për mbledhjen e të hyrave.

Edhe pse pas pavarësisë së Kosovës, ky institucion është sfiduar të menaxhojë pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak për tri vjet, deri në vitin 2011.

Berisha tha po ashtu se duke filluar në vitin 1999 nga taksat e para të cilat ishin në lartësinë e 150 euro, tani ka tejkaluar 13 miliardë euro taksa të mbledhura për buxhetin e Kosovës.

“Dogana gjatë këtyre 20 vjetëve ka treguar rezultate në misionin e vet dhe vlerësohet si një nga institucionet me vlerat më të larta organizative dhe që nga themelimi ka qenë ndër kontribuuesit kryesor për buxhetin dhe mbledhjen të hyrave, ku barrën e ka mbajtur rreth 70 për qind gjatë këtyre 20 vjetëve dhe mund të themi që deri në këto momente, Dogana ka arrit të mbledh për buxhetin e shtetit rreth 13 miliardë euro”, deklaroi Berisha.

Bedri Hamza, ministër në detyrë i Financave, tha se Kosova falë punës së doganës ka stabilitet makrofiskal dhe shprehet i bindur se që Dogana do të vazhdon punën për arritjen e planit dhe luftimin e kontrabandës.

“Jam i bindur që Dogana e Kosovës do të vazhdojë ta bënë punën e vet edhe në të ardhmen në përmbushje të planit të të hyrave, në luftimin e kontrabandës dhe dukurive të tjera negative, në zbatimin e ligjit dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Hamza.

Dogana po ashtu ka shfaqur me këtë rast edhe një dokumentar që pasqyrojë gjithë zhvillimet nga viti 1999 deri 2019.

Back to top button