“DokuFest” bëhet festival nominues për Çmimet e Filmit Evropian

Akademia Evropiane e Filmit ka përzgjedhur DokuFest-in si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian dhe atë në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe po ashtu filmit dokumentar.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS) ka reaguar sot duke i uruar për këtë sukses të jashtëzakonshëm duke e quajtur një festival të përmasave botërore.

“DokuFest tashmë është kthyer në një platformë të veçantë, ku përveç organizimit të festivalit po vazhdon puna me përkushtim e cilësi në fushën e filmit dhe programeve të edukimit. Kësaj radhe ata kanë arritur një sukses të madh. Janë përzgjedhur nga Akademia Evropiane e Filmit si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe të filmit dokumentar. Një arritje e jashtëzakonshme për festivalin si dhe për skenën e filmit të Kosovës”, thuhet në shkrimin e MKRS në Facebook.

Po ashtu DokuFest këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë gjatë festivalit prestigjioz të Kanës. Ky është viti i parë që ata do të kenë mundësi të prezantohen dhe të promovohen në këtë program. Cannes Docs ofron një hapësirë dhe program të posaçëm të eventeve për të gjithë profesionistët e filmave dokumentar – si krijuesit e filmave e po ashtu edhe vendimmarrësit e industrisë. “Kjo është një mundësi tejet e mirë e krijimit të marrëdhënieve me festivale e film bërës nga gjitha bota dhe zgjerimit të rrjetit të profesionistëve të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja të film bërësve në vendin tonë”, ka shkruar tutje MKRS.

MKRS tutje ka përgëzuar ekipin e DokuFest për punën që po bëjnë dhe njëkohësisht për promovimin e kinematografisë së Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button