Drejtësia për viktimën 11-vjeçe të dhunimit, “ndihmon në parandalim të rasteve të tjera”

Të shtunën një vajzë 11-vjeçare, në parkun e Lagjes Arbëria e pastaj edhe në një lokacion tjetër është dhunuar nga 5 persona. Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe KMDLNj, duke thënë se gjykojnë këtë dhunim si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe kërkon që hetimet për këtë rast të kenë prioritet absolut.
“KMDLNj kërkon nga qytetarët që të paraqesin rastet në mënyrë që të parandalohen e jo të merremi vetëm me pasoja siç ishte rasti i fundit. Për caktimin e shkallës së dënimit për të akuzuarit, përgjegjësi ligjore dhe të vetme kanë gjykatat përgjegjëse, pas procedimit të provave”, thuhet në reagimin e tyre.
Po ashtu KMDLNj konsideron se reagimet e personave me pozita të larta politike dhe institucionale janë presion, si në punën e hetuesisë ashtu edhe në vendimmarrjen gjyqësore.
“Janë jashtë çdo konteksti normal, moral dhe ligjor që të kërkohen zbatim të masave që janë në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe ligjeve në fuqi. Ose duhet t’i besojmë ligjit dhe shtetit, si mbrojtës i të drejtave të njeriut të gjithë qytetarëve ose të drejtës zakonore”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj pret që drejtësia të vendoset në vend për 11-vjeçaren e dhunuar dhe për familjen e saj, gjithnjë në përputhje me ligjet në fuqi.
Deri më tani janë arrestuar katër persona që dyshohen se e dhunuan 11-vjeçaren, ndërsa i dyshuari i pestë është identifikuar dhe është në kërkim./21Media

Back to top button