Drejtori i Policisë thotë se situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë

(Lajm i përditësuar)
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023, tha se situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë.
Por, tha se në përgjithësi, situata në Kosovë vlerësohet e qetë.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe më gjerë, vlerësohet të jetë e qetë. Megjithatë, në pjesën veriore të Kosovës situata mbetet e brishtë, me mundësi të tensionimit si rezultat i aktivitetit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste”, tha Hoxha.
Ai tha se Policia gjatë vitit të kaluar është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, duke përmensur sulmet terrosite dhe protestat.
Raportimi i drejtorit të policisë në komision, vazhdon me dyer të mbyllura
Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë po vazhdon të mbahet me dyer të mbyllura.
Raportimi i drejtorit të Policisë se Kosovës, Gazmend Hoxha po vazhdon, por pa prezencën e mediave, me arsyetimin se ka çështje të ndjeshme për tu trajtuar në këtë komision.
Hoxha para deputetëve ka shpalosur raportin vjetor të punës për vitin 2023.
Drejtori i policisë, flet për situatën e sigurisë në vend
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por në pjesën veriore vazhdon të mbetet e brishtë.
Teksa përmendi sulmin terrorist në Banjskë, shtoi se gjatë vitit të kaluar kanë menaxhuar mbi 500 protesta në veri.
Në paraqitjen e raportit të punës për vitin 2023, Hoxha para Komisionit për Çështje te Sigurisë theksoi se janë raportuar mbi 48 mijë raste pranë Policisë së Kosovës.
“Në vitin 2023 kemi pasur rritje të rasteve të vrasjeve, nga 21 në 29 raste të vrasjeve. Dhuna në familje, kemi pasur ulje gjatë këtij viti, nga 2 mijë e 757 në 2 mijë e 460. 79 për qind e rasteve të veprave penale”, tha ai.
Tutje, para anëtarëve të Komisionit për Siguri, Hoxha u shpreh se gjatë vitit të kaluar janë shënuar 96 raste të aksidenteve në trafikun rrugor me fatalitet.
Drejtori i Policisë deklaroi se në vitin 2023 janë paraqitur 1094 kallëzime penale dhe janë goditur 23 grupe kriminale.