Drita eliminohet, Prishtina kalon në raundin e tretë

2 min read

Drita e Gjilanit u eliminua sonte në minutën 90-të nga Feyenoord në Roterdam me rezultat 3:2. Ndeshja ishte e vlefshme në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Europa Conference League.

Takimi i parë kishte përfunduar pa fitues 0:0. Gjilanasit ishin shumë të mirë përball Feyenoordit, 15 herë kampion i Holandës, por kur dukej se ndeshja do të shkonte në vazhdim, Guus Til shënoi golin e tij të tretë.

Drita nga Gjilani pas 45 minutave të parë ishte në epërsi në “De Kuip”, me golat e Marko Simonovski (11) dhe Astrit Fazliu (16). Vendësit ndërkaq erdhën në epërsi pesë minuta më vonë, kur mesfushori Guus Til tundi rrjetën e Malokut të Dritës për 1:0.

I njëjti lojtar në pjesën e dytë shënoi edhe dy gola (68,90) duke siguruar një kualifikim të skuadrës së tij në raundin e tretë.

Vendësit kanë mundur të shënojnë edhe golin e tretë vetëm gati dy minuta më vonë, por ishte mbrojtja gjilanase që evitoi një gol të sigurt.

Drita në minutën 70-të huqi golin e sigurt kur Arbnor Muja dërgoi topin pranë portës së boshatisur kundërshtare. Simonovski po ashtu mundi të shënojë gol në minutën 75, por ishte mbrojtja kundërshtare ajo që e dëboi topin jashtë vijës këndore.

Ndërsa, skuadra e Prishtinës pësoi humbje si mysafire nga skuadra uellsiane Connah’s Quay Nomads me rezultat 4:2, por arriti kualifikimin në raundin e tretë falë fitores 4:1 në ndeshjen e parë.

Connah’s Quay Nomads erdhën të parët në epërsi me golin e shpejtë të Insall në minutën 3. Bardh-e-kaltrit pas golit të pësuar morën iniciativën në fushë, e cila iu shpagua me dy gola të Krasniqit në minutat 29 e 36.

Skuadra vendëse ishte më e mirë në 45 minutat e dyta. Së pari shifrat në “Park Aveny” i barazoi Horan në minutën e 47-të, ndërsa epërsinë ekipit vendës ia siguroi Insall me golin e tij të dytë në minutën e 57-të. Tetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, vendësit shënuan edhe golin e katërt përmes Morris nga penalltia.