Drita shkruan historinë

Skuadra e Dritës ka arritur sukses historik në garat evropiane pas eliminimit të Differdange 03.
Gjilanasit në ndeshjen e kthimit kanë shënuar fitore ndaj skuadrës nga Luksemburgu duke siguruar pjesëmarrjen për herë të parë në Ligën e Konferencës.
Ndërsa një javë më parë triumfuan në “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1, futbollistët e Zekiria Ramadanit u treguan shumë të vëmendshëm në sfidën kryesore të kthimit të play-off-it.
Ekipi vendës qysh në minutën e tretë mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi golashënuesi në ndeshjen e parë Andreas Buch u ndëshkua me karton të kuq. Kjo ndikoi në lojën e ekipit nga Luksemburgu, duke i dhënë përparësi në fushë ekipit kampion nga Kosova.
Kapiteni Besnik Krasniqi nga penalltia në minutën e 62-të shënoi golin e vetëm, por shumë të rëndësishëm për Dritën nga Gjilani.
Skuadra nga Gjilani kishte raste të tjera të mira shënimi, por Art Manaj nuk arriti të realizojë në minutën e 79-të, ndërsa Albert Dabiqaj një minutë më vonë nuk u tregua i saktë.
Kujtojmë, Ballkani ka qenë skuadra e parë nga Kosova që ka luajtur dy herë në Ligën e Konferencës.