Thaçi: Duke mos konstituuar Kuvendin, LDK-ja po mbron shtrenjtimin e energjisë elektrike

(Lajm i përditësuar)


Duke mos konstituuar Kuvendin, LDK-ja po mbron shtrenjtimin e energjisë elektrike

Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, komentoi vendimin e Gjykatës Komerciale, e cila sot ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Lidhur me këtë, Thaçi në emisionin “Click” ftoi deputetët që ta votojnë Albulena Haxhiun dhe ky vendim i ZRrE-së të dërgohet në Kuvend.

“Mirëpo ZRrE është komplet në direktivat e Kuvendit të Kosovës. ZRrE i jep përgjegjësi vetëm Kuvendit të Kosovës. Nëse Parisi qenka i përkushtuar vetëm për qytetarët e Kosovës, hajde nesër në ora 11:00 e votojmë Albulena Haxhiun, e konstituojmë Kuvendin dhe e thërrasim ZRrE-në; nëse është nevoja, ia shkarkojmë bordin. Mirëpo, duke mos e konstituuar Kuvendin e Kosovës, LDK-ja po e mbron shtrenjtimin e energjisë elektrike”, tha Thaçi.


“Mos qofsha në lëkurën e atyre deputetëve”, Thaçi thotë se Abixhiku po shantazhon deputetët për votim të fshehtë

Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, në emisionin “Click” në RTV21 fajësoi deputetët e opozitës se po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.

Madje ai tha se deputetët, konkretisht të LDK-së, po shantazhohen nga lideri i tyre.

“E tha edhe vetë lideri i kolegut tim në studio (LDK-së), se nëse ne votojmë në mënyrë të fshehtë, do t’ua drejtojmë kamerat deputetëve tanë. Unë po e pyes zotëri Gurin: a është i shantazhuar prej liderit të tij? Sepse isha ndi shumë keq… e mos qofsha në lëkurën e atyre deputetëve që lideri i shantazhon në atë formë”, u shpreh Thaçi.


Thaçi i LVV-së: LDK-ja nuk po do të vijë me neve në qeveri pa PDK-në

Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, në emisionin “Click” në RTV21 tha se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje politike, derisa përmendi propozimin për koalicion që i kanë ofruar LDK-së.

Megjithatë, ai fajësoi LDK-në se nuk po do të hyjë në qeveri me ta.

“Por, siç dihet tashmë, LDK-ja ka refuzuar dhe, në fakt, ajo nuk do të vijë në qeveri pa PDK-në”, u shpreh Thaçi. /21Media

Back to top button