Dy persona gjenden pa shenja jete, hetohen rastet

Policia e Kosovës po heton dy raste të ndara vdekjesh të dyshuara, të cilat janë raportuar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Gjilan dhe Prizren.
Sipas policisë, rasti i parë është shënuar në Prizren, rreth orës 08:00, ku një grua është gjetur pa shenja jete në një shtëpi. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e saj. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Rasti tjetër është raportuar në Gjilan, rreth orës 05:10, ku një burrë kosovar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij. Edhe në këtë rast, policia dhe ekipi mjekësor kanë konfirmuar vdekjen në vendngjarje. Trupi i tij është dërguar në IML për obduksion, ndërsa provat materiale të gjetura janë konfiskuar për procedura të mëtutjeshme hetimore.
Autoritetet theksojnë se të dyja rastet janë në fazën fillestare të hetimit dhe priten rezultatet e obduksionit për të përcaktuar shkakun e vdekjes.