Dy raste të dënimit me burg të përjetshëm në Kosovë
Veprat më të rënda të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda, konsiderohen si veprat më të rënda kriminale, për të cilat pason dënimi maksimal – burgim i përjetshëm, dënim ky i bazuar në Nenin 44 të Kodit Penal të Kosovës (KPK). Që nga hyrja në fuqi e Kodit Penal, më 1 janar të vitit 2013 e deri më sot, janë shqiptuar disa dënime me burgim të përjetshëm, në Kosovë.
Zyrtari për informim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), Florent Gashi për portalin rtv21.tv ka thënë se në Qendrat Korrektuese të Kosovës, dënimin me burg të përjetshëm po e vuajnë 2 persona.
“Aktualisht, të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm janë gjithsej dy të burgosur”, ka thënë Gashi.
Aktualisht numri i të burgosurve në institucionet korrektuese në Kosovë është 1 mijë e 751, prej tyre 1 mijë e 120 janë të dënuar, ndërsa 631 janë të paraburgosur./21Media